Tre pjesëtarë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Policinë e Kosovës janë therur me thikë sot rreth orës 17:00 në lagjen Dardania në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, i cili tha se njëri nga zyrtarët policorë ka marrë lëndime më të rënda dhe është transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Sipas Bytyqit, patrulla e Policisë është sulmuar nga një person pasi kishin shkuar të intervenojnë për një rast të konfliktit familjar.
“Para orës 17:00 në lagjen ‘Dardania’, familjarët kanë kërkuar ndihmën e Policisë për shkak se djali i tyre, tashmë i dyshuari, nuk ka pranuar që të marrë ilaçet, pasi është me të meta psikike dhe merr trajtim të herë pas hershëm. Ka ardhë patrulla e Policisë dhe kanë tentu që me e bë të mundshme marrjen e injeksioneve, por i njëjti ka qenë i dhunshëm me ç’rast ka nxjerrë thikën dhe ka tentuar të sulmojë patrullën policore. Ata kanë thirrë NJRSH dhe pasi që kanë ardhë NJRSH, edhe ata i ka sulmuar me thikë dhe tre prej zyrtarëve të NJRSH-së, janë lënduar”, tha Bytyqi për Sinjalin.
Ai ka njoftuar se të tre zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe tashmë ndodhet në stacion të Policisë ku pritet të intervistohet.
“Të tretë janë jashtë rrezikut për jetë, por njëri nga ta ka lëndime pak më të rënda dhe është dërgu për Prishtinë në QKUK, njëri është në spital në Prizren dhe njëri është liruar për në shtëpi. I dyshuari është arrestuar dhe është në stacion policor. Jemi në koordinim me prokurorin për procedura tjera”, tha ai për Sinjalin.