Deklarata e lojtarit anglez, Rraheem Sterling, se në vendet ballkanike është pritur me akte raciste, e ka shtyrë Taulant Binxhinë nga Gjakova, që në ndeshjen Kosovë-Angli, të paraqitet me këtë fotografi të luftës.
Në poster shkruan: “Kur ne po përjetonim gjenocidin dhe dhunimin e grave, ju i rritët shpresat tona për liri. Gjithmonë mirënjohës – Angli”, raporton KTV.
Binxhia thotë se me këtë ka dashur t’i tregojë Kombëtares angleze, por edhe të gjithë shtetasve anglezë, se kosovarët janë ndryshe.
Binxhia thotë të jetë habitur dhe ndier mirë njëkohësisht, se si veprimi ka marrë vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare.
Shton se, ndër të tjerash, ka marrë shumë mesazhe pozitive për këtë veprim.
Fotografia, në të cilën Binxhia e mban posterin bashkë me babanë e vet, ka marrë vëmendjen e gazetave kryesore angleze, si ‘Daily Mail”, “The Sun”, “The Mirror” si dhe “CNN”, që kanë shkruar rreth mënyrës se si kosovarët kanë falënderuar anglezët për ndihmën e ofruar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në të gjitha këto mediume është përmendur edhe mbajtja e flamujve anglezë gjatë interpretimit të himnit të Anglisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Përveç tifozëve anglezë, të cilët janë befasuar me pritjen në Prishtinë, ku u qerasën me birra nga kosovarët, për mikpritjen kanë reaguar që prej Federatës së Futbollit të Anglisë, futbollistëve e deri tek ambasadori britanik në Kosovë.