Revista “Rolling Stone”, së bashku me disa gazetarë investigativë kanë publikuar një hetim të detajuar mbi një nga krimet e shumta të luftës të kryera tridhjetë vjet më parë nga tigrat e Arkanit.
Sipas mediave boshnjake, përcjell Telegrafi, në tekstin e tre gazetarëve investigativë janë publikuar dokumente që thuhet se nuk janë publikuar më parë, që vërtetojnë se një nga tigrat e Arkanit ka qenë aktiv si DJ – shumë vite pas krime të tyre.
Madje, Sërgjan Goluboviq (Srđan Golubović) ka qenë duke “rrotulluar disqe” në festivale dhe klube evropiane për dekadat e fundit, shkruan revista Rolling Stone.
“Xhenita Mulabdiq (Dzenita Mulabdić) ra në tokë, u dëgjua zhurma e armëve. Një grua shtatzënë 20-vjeçare boshnjake dhe burri i saj Muhamed ishin fshehur nga dera e mbyllur e bodrumit me fëmijën. Komandot e Beogradit u hodhën mbi gardh dhe hynë në shtëpinë e tyre në Bijeljina (të Bosnjës dhe Hercegovinës)”, shkruan revista.
“Në fillim të viteve 1990, Jugosllavia u shpërbë. Presidenti ultra-nacionalist i Serbisë, Slobodan Millosheviq, kapitalizoi mitet e ‘Serbisë së Madhe’ dhe keqtrajtimit të serbëve. Republikat jugosllave shpallën pavarësinë e tyre njëra pas tjetrës, duke përfshirë Bosnje Hercegovinën. Propaganda e Millosheviqit i nxiti serbët të luftojnë dhe pjesëtarët e Arkanit e bartën atë mesazh në luftë”, shkruan kjo revistë, përcjell Telegrafi.
Dhe fotografi amerikan Ron Haviv regjistroi depërtimin e njësive të Arkanit në Bijeljina dhe masakrën që ata bënë me atë rast.
Haviv më parë u takua me Tigrat në Kroaci, ku i fotografoi në Vukovarin e shkatërruar.
Kështu, më 2 prill të vitit 1992, Haviv u lejua të filmonte Tigrat në Bijeljina, përcjell Telegrafi.
Fotografi Haviv, fitues i disa çmimeve, bëri disa nga fotografitë e para që tregojnë krimet e dukshme të luftës në luftën e Bosnjës.
Mes tyre është një foto e njerëzve të Arkanit duke shkelmuar një trup të shtrirë në tokë.
Haviv shpresonte që këto foto të alarmonin publikun botëror dhe të sillnin para drejtësisë autorët.
Por edhe sot, 30 vjet pas masakrës në Bijeljina, shumë nga tigrat e Arkanit ende ecin lirshëm nëpër botë.
Sasha, një ish-entuziast i muzikës tekno, tani në të dyzetat, i cili shpesh merrte pjesë në demonstratat e Beogradit në vitet nëntëdhjetë, dhe fansat e tjerë të elektronikës nuk dinin në atë kohë se një nga DJ-të e rinj premtues në skenë, Srđan Golubović, kishte veshur më parë uniformën e Tigrave të Arkanit.
“Mediat vendase dhe publiku do ta akuzojnë atë se është i riu me uniformë që u fotografua nga Haviv në vitin 1992, duke shkelmuar trupin e përgjakur të Tife Shabanoviqit”.
Sipas disa burimeve, anëtarët e Tigrave të Arkanit e quanin atë Max. Në festat e Beogradit e quanin “Kapiteni Maks”.
Goluboviq ishte, siç e quajnë disa, një “luftëtar i fundjavës”.
Ka një histori, thotë një i njohur, se Goluboviq është transferuar një herë me helikopter nga lufta në një klub të Beogradit dhe se ai është kthyer në Bosnje pas ngjarjes.
Goluboviq ishte një bashkëpronar i “Ultra Groove Records”. Ai performoi në klube në Beograd dhe në vende në të gjithë Serbinë, duke përfshirë edhe festivalin EXIT.
Megjithatë, ai ka refuzuar disa kërkesa për intervista për t’iu përgjigjur pretendimeve se ai mori pjesë në vrasjet masive në Bijeljina.
“Nuk jam dakord që emri apo fotografia ime të përmendet në shkrimin tuaj”, është përgjigjur Goluboviq përmes Viber.
Ai vazhdon të performojë.
Por e intervistuara e revistës, Xhenita Mulabdiq konstaton se Goluboviq do ta marrë atë që meriton.
“Unë nuk mendoj se ai fle i qetë. Por nuk është i vetmi”.