Një inxhinier në një kompani të industrisë së mbrojtjes në SHBA u arrestua pasi u përpoq t’i jepte informacion konfidencial një punonjësi të Zyrës Federale të Hetimit (FBI), për të cilin mendonte se ishte një spiun rus.
John Murray Rowe, i cili punoi për 10 vjet si inxhinier në një kompani mbrojtëse të paidentifikuar, u arrestua pasi u përpoq t’i shiste informacione konfidenciale një agjenti të fshehtë të FBI-së që ai mendonte se ishte një spiun rus, tha në një deklaratë Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
FBI tha se pas shkarkimit të 63-vjeçarit John Murray Rowe, nga Dakota e Jugut, për shkelje të sigurisë, u krye një operacion sekret për mundësinë e një kërcënimi të brendshëm ndaj kompanisë.
Në një hotel në Dakotën e Jugut, Rowe u takua me një agjent të fshehtë të FBI-së, i cili pretendonte të ishte një spiun rus dhe i tha atij se ishte i gatshëm të transferohej në Rusi dhe t’ia shiste informacionin qeverisë ruse.
U zbulua se si pjesë e hetimit, Rowe shkëmbeu më shumë se 300 emaile me një punonjës tjetër të FBI-së, i cili gjithashtu u shfaq si spiun rus për një periudhë prej tetë muajsh, duke filluar nga marsi 2020.
Sipas të dhënave të gjykatës, Rowe ndau detajet e avionëve luftarakë të SHBA në një email, ndërsa në një tjetër ai shkroi: “Nëse nuk mund të gjej një punë këtu, atëherë do të punoj për një ekip tjetër”.
Rowe u soll përpara Gjykatës Federale në Dakotën e Jugut, ku ai u ndalua në paraburgim për përpjekjen për të nxjerrë informacione rreth mbrojtjes kombëtare në mënyrë që të ndihmonte një qeveri të huaj.
Thuhet se Rowe do të dënohet me burgim të përjetshëm.
Prokurorët thonë se Rowe ka punuar si inxhinier testimi për kompanitë e mbrojtjes për 40 vjet dhe ka leje sigurie.
Më herët, në mars 2018, ai u pushua nga linja ajrore për shkelje të rregullave të sigurisë.