Tre resorte në Shëngjin dhe Golem vidhnin energji elektrike, OSSH procedon penalisht 3 pronarë hotelesh

Vjedhja e energjisë elektrike u ka kushtuar shtrenjtë 3 pronarëve të resorteve në Shëngjin dhe Golem.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH Sh.A), në kuadër të luftës kundër subjekteve që abuzojnë me energjinë elektrike, nëpërmjet strukturave të posaçme të OSSH Shkodër, gjatë kontrolleve të ushtruara ka zbuluar dhe proceduar në polici dy subjekte me aktivitet “hotel resort” në qendër të Shëngjinit.

Sipas OSSH-së, subjektet private vidhnin energji elektrike duke u lidhur jashtë sistemit të matjes, në kundërshtim me ligjin dhe kodin penal.

“Verifikimet janë kryer në prezencë të oficerëve të policisë gjyqësore dhe forcave të rendit, ku më pas u morën masat e nevojshme të shënuara në procesverbal.”- thuhet në njoftim.

Më herët, një tjetër strukturë e OSSH, Drejtoria e Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve (DKRH), konstatoi vjedhje të energjisë elektrike (ndërhyrje në matës) tek një subjekt hotel në plazhin e Golemit, pranë Durrësit.

Menjëherë, pas konstatimit të abuzimit, u njoftuan strukturat e posaçme ligjzbatuese, duke proceduar rastin për veprime të mëtejshme.

“OSSH u bën apel konsumatorëve, sidomos atye privat, se do të vazhdojë, pa asnjë kompromis, luftën kundër vjedhjes së energjisë elektrike, me qëllim formalizimin dhe vendosjen e plotë të shtetit ligjor në këtë sektor. Gjithashtu, OSSH i bën thirrje abonentëve të distancohen nga abuzimi me energjinë elektrike.”- thuhet në njoftim.