Tronditet Tetova, vajza e mitur dyshohet se vrau 16-vjeçarin, viktima gjendet në lumin Shkumbin

Një 16-vjeçar është gjetur i pajetë mëngjesin e së enjtes në Tetovë, në rrjedhën e lumit Shkumbin. 16-vjeçari dyshohet se është sulmuar nga një bashkëmoshatare e tij me sende të forta në vendin e quajtur “Banja” në Tetovë.

Tragjedia e ndodhur në Tetovë, tashmë po merr rrjedhë të re. Dyshimet e para nga policia e Maqedonisë së Veriut janë se bëhet fjalë për vrasje.

Mësohet se një vajzë e mitur 16-vjeçare është shoqëruar në polici si e dyshuar për përfshirje në rast.

“Prokuroria Themelore Publike-Tetovë deri tek gjykata kompetente ka dorëzuar kërkesë për ngritjen e Procedurës përgatitore kundër një personi për të cilin dyshohet se ka kryer veprën penale ”vrasje”.

“E dyshuara, vajza 17 vjeçe me paramendim ka privuar nga jeta një 16 vjeçar. Pas përplasjes verbale në veturë tek vendi i quajtur “Banja” ajo me një mjet të fortë ka goditur të dëmtuarin duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë. Më pas e ka hedhur në lumin Shkumbin, ndërsa trupi i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit. Prokurori publik deri tek gjykata ka dorëzuar caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike-Tetovë. /Alsat.mk

Avokati mbrojtës i saj vërtetoi se vajza po mbahet nën mbikqyrje të specializuar psikiatrike me qëllim të konstatimit të gjendjes faktike.

Sipas avokatit, Ibraim Bajrami, procedura ende është në fazë hetimore.

“Për momentin mund të them se bëhet fjalë për person të mitur të gjinisë femërore, nën 18 vjeç. Çështja është në procedurë hetimore dhe si e tillë për shkak të zbardhjes sa më korrekte të rastit është mirë që në këtë fazë t’i lëmë organet të bëjnë detyrën.

Personi që unë e kam marrë ta përfaqësoj, nga sonte do të jetë nën mbikqyrje të stafit profesional mjekësor, për t’u vërtetuar gjendja e saj psiko-fizike. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u vërtetuar gjendja faktike në lidhje me rastin shumë tragjik”, deklaroi avokati Bajrami.