“Tronditje” në humor, njerëzit duan që ndërrimi i orës të marrë fund!

Për pak ditë do të ndërrohet ora e bashkë me të do ndryshojë humori i shumë njerëzve. Në orën 02:00 të 30 Marsit, akrepat do shkojnë 60 minuta para, duke shënuar kështu orën 03:00. Rrjedhimisht na ikën një orë gjumë dhe zgjatet dita…por sa ndikon kjo praktikë në shëndetin e njerëzve? Në Shtetet e Bashkuara, 54% e popullatës duan që kjo praktikë shekullore të marrë fund.

Disa ligjvënës kanë sugjeruar që ora diellore të bëhet standard kombëtar gjatë gjithë vitit, duke e arsyetuar me faktin se mëngjeset tejet të errëta apo ato “të vona”, çorientojnë njerëzit.

Edhe organizata mjekësore e shkencore e mbrojnë këtë tezë, që preferohet nga gati gjysma e banorëve të SHBA…por nuk ka konsensus brenda qarqeve akademike! Po pse është vënë ky rregull nëse ka ndikim negativ në shëndetin e njerëzve?

Zanafillën e ka që në vitin 1908, për të kursyer energji gjatë kohës së luftës dhe për të krijuar më shumë kohë të lirë në mbrëmje. Duke lëvizur orën 60 minuta para gjatë pranverës dhe verës, mendohej se njerëzit mund të përfitonin nga dita më e gjatë. Njerëzit në shoqëritë paraindustriale i rregulluan natyrshëm aktivitetet e tyre përgjatë stinëve bazuar në sasinë e dritës së diellit që kishin. Por në botën moderne, njerëzit u përmbahen orareve strikte të fillimit të punës dhe shkollës, pavarësisht nga stina.

Kështu, është krijuar një mospërputhje midis kohëzgjatjes së ditës dhe ritmeve natyrore të trupit dhe orës sociale. Kjo mospërputhje është më e theksuar afër poleve, ku lindja e diellit dhe sasia e dritës mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike.

Nga ana tjetër, Dielli ndihmon në vendosjen e gjumit apo zgjimit të trupit tonë. Ndryshimi i këtij ritmi, paraqet rreziqe në shëndet. Drita na shton melatoninën në tru dhe na bën më vigjilentë. Kjo është arsyeja se kur dalim herët për në punë dhe është thuajse errësirë, mbetemi të përgjumur… Edhe në rast lodhjeje, rezulton që zgjimi me pak dritë, çon në gjum jo të rehatshëm. Ndërprerja e gjumit siç ndodh gjatë orës pranverore, shton rrezikun për sulme në zemër, goditje në tru dhe mungesë të theksuar përqendrimi.

Zgjidhja më e mirë do të ishte që ora të mos ndërrohej më, por duke qenë se kjo duket disi e pamundur, lind nevoja që orari i punës apo shkollave të bëhet më fleksibël. Pra, dy herë në vit oraret e tyre të ndryshojnë në përputhje me dritën natyrore.