Trump e quan “të tmerrshme” situatën në Bjellorusi

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se Uashingtoni është duke e vëzhguar nga afër situatën “e tmerrshme” në Bjellorusi, ku demonstratat masive të opozitës, po goditën me forcë nga ana e pjesëtarëve të sigurisë.

“Kjo është një situatë e tmerrshme në Bjellorusi. Ne do ta përcjellin atë nga afër,” tha Trump, më 17 gusht.

Në Bjellorusi po mbahen protesta masive që nga mbajtja e zgjedhjeve presidenciale më 9 gusht, për të cilat, Komisioni Zgjedhor tha se u fituan nga presidenti autoritar, Alyaksandr Lukashenka.

Opozita ka thënë që zgjedhjet ishin të manipuluara.

Më 16 gusht, dhjetëra mijëra demonstrues u mblodhën në Minsk në atë që u quajt tubimi më i madh në historinë e vendit.
Lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka thënë se zgjedhjet e reja presidenciale mund të mbahen, nëse ky shtet miraton kushtetutën e re.

“Neve na duhet ta miratojmë kushtetutën e re. Duhet ta miratoni atë përmes referendimit, dhe sipas kushtetutës së re mund të mbani nëse dëshironi edhe zgjedhje presidenciale edhe parlamentare, si dhe zgjedhje për autoritetet lokale”, ka thënë Lukashenka të hënën.

Kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya e cila është larguar në Lituani, pasi ka kundërshtuar publikisht rezultatet, insiston se nëse votat do të numëroheshin si duhet, ajo do të fitonte 60 deri në 70 për qind të përkrahjes qytetare.

Përmes një video-mesazhi të publikuar të hënën, ajo ka thënë se është e gatshme të bëhet “lidere kombëtare” në mënyrë që të kthejë qetësinë dhe normalitetin, duke liruar të burgosurit politikë, dhe duke nisur përgatitjet për zgjedhje të reja.