Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i kritikuar për etiketimin e Covid-19 si “virus kinez”, thotë se Amerikano-Aziatikët nuk duhet të fajësohen për përhapjen. Ai nënvizon se është shumë e rëndësishme që të mbrohet ky komunitet, duke I cilësuar ata si “persona të mrekullueshëm”.
Trump foli në këtë mënyrë pas raportimeve të rritjes së sulmeve verbale dhe fizike ndaj aziatikëve në territorin amerikan, që kryesisht janë nxitur dhe nga deklaratat e tij të mëhershme. Koronavirusi po përhapet me shumë shpejtësi në Shtetet e Bashkuara, që aktualisht numëron mbi 46 mijë persona të infektuar dhe rreth 600 viktima.
E pavarësisht kësaj, Trump sinjalizoi lehtësim të masave të sigurisë. “Vendi ynë nuk është bërë që të izolohet. Në fund të periudhës 15 ditore, ne do të vendosim se si do të vijojmë dhe ku synojmë të shkojmë. Po flasim për rihapjen e aktiviteteve të bizneseve në vendin tonë”.
Ndërsa pajisjet mjekësore po mbarojnë në të gjithë Amerikën, presidenti premton se të tjera po vijnë. “Po shpërndajmë 8 milionë maska mbrojtëse, 13,3 milionë maska kirurgjikale në të gjithë vendin”.
Trump nënshkroi edhe një urdhër ekzekutiv, duke shndërruar në krim abuzimin me çmimet e produkteve të ndryshme. “Nëse keni furnizime të mëdha me letra higjienike në shtëpitë tuaja, kjo nuk është diçka për t’u shqetësuar. Por nëse keni blerë maska për t’i tregtuar, do t’iu trokasim në derë”, tha William Barr, Prokuror i Përgjithshëm i SHBA.
Kjo erdhi pasi guvernatorët e shteteve të ndryshme i kërkuan presidentit që t’i jepte fund këtyre praktikave, pasi luftonin me njëri-tjetrin për të blerë furnizime me pajisje mbrojtëse si maska dhe doreza.