Trump përzuri Zelenskyn nga Shtëpia e Bardhë, liderët e BE samit për Kievin në Londër! I pranishëm edhe presidenti ukrainas

Samiti i rreth pesëmbëdhjetë liderëve të vendeve aleate të Kievit u hap në Londër këtë pasdite në prani të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, dy ditë pas konfrontimit të tij të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump.

Udhëheqësit europianë po përballen me “një moment unik për sigurinë e Evropës”, tha kryeministri britanik Keir Starmer në hapjen e samitit në Lancaster House.

Pasi të përfundojnë bisedimet, pritet që Starmer të mbajë një konferencë për shtyp, ndërsa Zelensky do të takohet me Mbretin Charles ashtu edhe siç u informua edhe dje.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar e quan atë “një moment një herë në një brez për sigurinë e Evropës” dhe shton se një rezultat i mirë paqeje për Ukrainën do të ishte gjithashtu jetik për sigurinë e kombeve në të gjithë kontinentin.

Disa nga liderët botërorë të pranishëm janë: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri i Suedisë Ulf Kristersson, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri norvegjez Jonas Støre, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, kryeministri çek Petr Fiala,kryeministri kanadez Justin Trudeau, ai i Danimarkës Mette Frederiksen, kancelari gjerman në largim Olaf Scholz.

Kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn dje në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.

“Kjo hua do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”, deklaroi Zelensky përmes rrjeteve sociale.

Konferenca në Londër tani ka marrë një rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit mes Trumpit dhe Zelenskyt me gjasë do të jetë pikë kryesore e agjendës.

Mark Rutte, tha se Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin. Ende është e paqartë se diçka e tillë është e mundur të arrihet. Por, Trump deklaroi se Zelensky mund të kthehej “kur të dëshirojë paqe”.

Edhe para vizitës së Zelenskyt në Uashington, udhëheqësit europianë kanë treguar se ka urgjencë që ata ta bëjnë veten të rëndësishëm për administratën e Trumpit.

Kjo u nxit nga deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë që sugjeruan se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në negociatat për paqe në Ukrainë dhe për shkak të shenjave se SHBA-ja dhe Rusia po përmirësojnë raportet.

Bisedimet e tjera paraprake të krizës janë mbajtur në Paris javën e kaluar dhe ato u përqendruan në atë nëse Europa mund të krijojë një forcë paqeruajtëse që do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes, por edhe për arritjen e synimeve për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.

Sfida e bisedimeve në Londër, pas debatit në Shtëpinë e Bardhë, është që të arrihet diçka më e prekshme dhe më e madhe. Përveç kësaj, disa udhëheqës evropianë po shkojnë përtej asaj që vetëm të dëshmojnë vlerën e tyre për Uashingtonin. Në vend të kësaj, ata po përgatiten për skenarë të mundshme ku nuk do të mund të vareshin nga ombrella e sigurisë së SHBA-së.