Ofensiva e fundit e Turqisë kundër aleatit kryesor amerikan në Siri nuk e ka ndaluar presidentin amerikan, Donald Trump, që të nderojë presidentin turk Recep Tayyip Erdogan me një vizitë në Shtëpinë e Bardhë dhe me një konferencë të përbashkët për media.
Kjo vizitë ndodhi të mërkurën, ditën e parë kur seancat dëgjimore sa i përket hetimit të mundshëm ndaj Trumpit nisën të bëheshin publike – seanca këto për të cilat presidenti amerikan tha se është “shumë i zënë” për t’i shikuar. Në orët e pasdites, presidenti mbajti një takim me Erdoganin, me senatorët Lindsey Graham, Tim Scott, Ted Cruz, Joni Ernst dhe Jim Risch, raporton “CBS News”.
Trumpi dhe Erdogani u takuan në Zyrën Ovale për një takim bilateral para konferencës së tyre për media.
“Dua ta falënderoj presidentin për punën që kanë bërë, dhe e them sërish, kjo ka qenë për mijëra vjet në proces mes kufijve, mes këtyre vendeve dhe vendeve tjera ku ne jemi të përfshirë ndonëse 7 mijë milje larg”, tha Trumpi për Erdoganin. “Prandaj, dëshirojmë të brengosemi për këto gjëra”, transmeton Koha.net.
Trumpi shtoi se ai dhe Erdogani kanë qenë “miq shumë të mirë”, pothuajse nga “dita e parë”. Ai përmendi se shumë turq po vriten “në zonën për të cilën po flasim” dhe ajo “nuk është rrugë njëkahëshe”.
Ai tha se me Erdoganin do të diskutojnë për sistemin mbrojtës raketor rus S-400 të cilin e ka blerë Turqia, sikurse edhe për programin e aeroplanëve luftarakë F-35. SHBA-ja e ka përjashtuar Turqinë nga programi i aeroplanëve luftarakë amerikanë F-35 gjatë verës për shkak të vendimit të tyre për të blerë sistemin S-400, i cili mund të jetë kërcënim për aeroplanët F-35 dhe i cili nuk është kompatibil me sistemet e NATO-s. Turqia mund të përballet me sanksione amerikane edhe për blerjen e sistemit rus të armatimit.
I pyetur nga një reporter nëse ka ndonjë mundësi që Turqia të përdorë edhe sistemin S-400 e edhe të marrë pjesë në programin F-35 në të njëjtën kohë, presidenti amerikan tha se ai dhe Erdogani po flasin për këtë çështje.
Ndonëse pati kritika të shumta nga ligjvënësit amerikanë për takimin e Trumpit me Erdoganin për shkak të ofensivës ushtarake nga kurdëve në Siri, Trumpi tha se kurdët “nuk janë engjëj”.
Të martën Trumpi tha para audiencës në Klubin Ekonomik të New Yorkut se do të bisedojë me këdo – me diktatorë e të tjerë.
“Kushdo që dëshiron të hyjë – diktatorë – në rregull është. Ejani brenda”, tha ai.