“Truri” i operacionit në Gjakovë, ushtria e Kosovës teston aftësitë në stërvitje me NATO

Forca e Sigurisë së Kosovës do të angazhohet me rreth 1 mijë ushtarakë në stërvitjen “Defender Europe 25” që nisi të hënën dhe pritet të mbyllet më 9 qershor krahas ushtrive të 28 shteteve pjesëmarrëse.

Kosova është gjithashtu një nga 18 vendet pritëse të kësaj stërvitjeje ku do të marrin pjesë gjithsej 25 mijë ushtarë.

Në Aeroportin e Gjakovës është vendosur komanda amerikane taktike e Divizionit 28 të këmbësorisë që do të udhëheqë me të gjitha brigadat në rajonin e Europës Juglindore.

Ndërsa në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës do të zhvillohen operacione luftarake sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit nga njësitet e FSK, njësi ushtarake të Gardës së Ajoas, njësi dhe personel nga Republika e Shqipërisë, e Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Kosova me FSK do të marrë pjesë në këtë ushtrim afërsisht me një numër prej 1 mijë pjesëtarësh të cilët përveç në Kosovë, që do të jetë numri më i madh i pjesëtarëve të FSK-së që do të ndjekin pjesën e ushtrimit, do të dislokohen dhe tashmë është dislokuar edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci”, u shpreh ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.

Përmes kësaj stërvitjeje, Forca e Sigurisë së Kosovës synon të dëshmojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit.

“FSK, gjegjësisht komandat e FSK-së, e vlerësojnë vetveten në këtë rast sa janë kompatibile me forcat aleate të cilat janë pjesëmarrëse në këto ushtrime. Aty shihet ajo barazia e njërit shtab të FSK me një shtab përkatës të shtetit mik i cili është pjesëmarrës në ushtrim dhe këtu më pastaj bëhen krahasime dhe nxirren mësimet”, deklaroi koloneli Hysen Gecaj.

Ushtarakët vlerësojnë se përkundër sfidave me të cilët ballafaqohet herë pas here Forca e Sigurisë, kryesisht për shkak të politikës, gëzon besueshmëri tek aleatët.

“Ky është një tregues që FSK po ecën përpara në kuptimin e ngritjes profesionale jo vetëm të eprorëve të saj, oficerëve dhe nënoficerëve, por edhe në kuptimin e shkathtësive luftarake po ashtu në pajisje”, tha koloneli Hysen Gecaj.

Dy vite më parë, për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës, ishte anuluar në fund aktiviteti i “Defender Europe 23”, ndërsa ish-ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier kishte deklaruar se ishte pasojë për shkak të veprimeve të Qeverisë së Kosovës.