“Kemi ngrënë tre vakte tani do të hamë 2. Do të shtrëngojmë rripin” thonë dy qytetarë të Tiranës.
Përballë çmimeve që çdo ditë po shënojnë rekorde të reja qytetarëve iu ka mbetur vetëm një zgjidhje, të kursejnë.
Buka, produkti kryesor i tryezës së shqiptarëve, ditët e fundit është rritur me 10 lekë.
Edhe vaji që përdoret për gatim është shtrenjtuar sërish. Këtë të mërkurë një litër kushtonte 300 lekë nga 270 që kushtonte një javë më parë
“Mielli ishte bërë 120 lekë, djathi kaçkavall 11 mijë lekë. Mishi ka vajtur 950 lekë. Turp i botës! Lufta bëhet në Ukrainë, çmimet ngrihen në Shqipëri. Unë haja nga dy mollë, tani nuk do të marr fare” thonë qytetarët.
Të shqetësuar, konsumatorët thonë se po rrënohen ekonomikisht.