U nis për shtëpi, doli xhami

U nis për shtëpi, por disa banorë të lagjes “Kalabria” po pretendojnë se një objekt gjatë zhvillimit të punimeve është kthyer në një xhami.

Bëhet fjalë për një pronë private të familjes Aliu, që sipas pretendimeve të fqinjëve, objekti u nis me leje për shtëpi, ndërsa tani, veçse po mbahen rituale fetare në të.

Sipas përfaqësuesit të banorëve të rrugës “Sherif Jashari”, avokatit Blerim Bajrami, ndryshimi i destinimit të këtij objekti është në kundërshtim me lejen. Sipas Planit Zhvillimor Komunal, në këtë pjesë është e paraparë vetëm ndërtimi i shtëpive individuale.

“Nga vitit 2020, pronari Mehmet Aliu ka insistuar të ndërtojë një objekt fetar, një xhami. Fillimisht kanë filluar ndërtimet pa leje, por në vitin 2020 nga qeverisja e Shpend Ahmetit punimet ishin ndaluar. Pas ndalimit të punimeve i njëjti ka insistuar dhe ka nxjerrë një leje për ndërtimin e një shtëpie individuale. Në bazë të kësaj leje për shtëpi, ai ka ndërtuar objektin duke e anashkaluar në pjesë më të madhe projektin dhe lejen ndërtimore. Për të gjitha këto ndryshime në terren, banorët e lagjes i janë drejtuar Inspeksionit. Inspeksioni në vazhdimësi ka toleruar ato punime duke mos bërë rrënimin e tyre mirëpo duke iu dhënë afat shtesë që të njëjtat t’i harmonizojnë me Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës”, ka thënë Bajrami.

Sipas Bajramit, rasti tashmë është i paraqitur edhe në prokurori.

“Poseduesi i lejes së ndërtimit, Mehmet Aliu edhe pas posedimit të lejes së dytë ndërtimore vazhdon punimet në kundërshtim me lejen. Duke parë këto punime në kundërshtim edhe me projektin e dytë, banorët e lagjes paraqesin ankesë në Drejtorinë e Inspeksionit. Drejtoria e Inspeksionit si në të kaluarën edhe tani nuk ndërmerr asgjë në këtë aspekt dhe i lejon përfundimin e punimeve në kundërshtim me projektin. Banorët e lagjes paraqesin rastin në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Pas kallëzimit penal, inspektori merr aktvendim duke i ndaluar punimet dhe i jep afat prej 15 ditësh për t’i prishur ndërtimet që janë bërë në kundërshtim me lejen dhe projektin ndërtimor. Pas vendosjes së aktvendimit dhe shiritave të objektit, brenda tri ditësh, për arsye të panjohura, të njëjtit shirita hiqen dhe vazhdon praktikimi i riteve fetare”, ka thënë përfaqësuesi i banorëve që janë ankuar.

Në një e-mail të Bajramit drejtuar asamblistëve të Kuvendit Komunal dhe KTV-së, është i bashkangjitur edhe një audioincizim ku pretendohet se Agim Aliu, djali i pronarit të parcelës, ka dhënë ryshfet për këtë leje prej rreth 8 mijë eurove.

Një gjë të tillë e kundërshton vetë Agim Aliu, i cili është edhe vëllai i zyrtarit komunal, Fadil Aliu, i cili ka thënë se është tentuar t’i merret ryshfet por që nuk i ka dhënë askujt.

Ai ka thënë se kjo është pronë e tij dhe me të bën çka të dojë.

“Ajo është pronë personale dhe çka dua bëj me të. A ia jap xhamisë, a ia jap kishës ajo është pronë e imja personale, e kam të blerë dhe çka dua bëj me të. Ata banorë a kanë shtëpi edhe ata, a kanë leje? Pos shtëpia ime ka leje. Për inati për çka të ju pengojë atyre, aq kam për të bërë vetëm për inate të tyre. Nuk është e vërtetë që kam dhënë ryshfet. Kanë tentuar të më marrin, por nuk kam pranuar të jap ryshfet”, ka thënë ai.

Vëllai i tij, shefi i personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu, ka thënë se nuk e ka shfrytëzuar postin e tij për të ndërhyrë në këtë çështje.

“Pse nuk e keni thirrur prindin por mua? Ne jemi të ndarë. Nuk jam marrë unë aspak me këtë punë dhe i kam informatat që ajo shtëpi e ka pasur lejen dhe tashmë babai ia ka falë Bashkësisë Islame dhe nuk është përgjegjësi më e jona se çfarë ka ndodhur me të. Unë nuk e kam shfrytëzuar postin tim si zyrtar komunal për të ndërhyrë në asnjë çështje familjare”, ka thënë ai.

Por Hetem Sopjani, nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës, ka thënë se këtë objekt e kanë marrë me qira me qëllim të përdorimit për ushtrimin e ritualeve fetare. Ai ka shtuar se i kanë kërkuar leje për këtë aktivitet edhe asamblesë komunale.

“Ne e kemi bërë një kontratë që e kemi marrë me qira për shkak se nuk po kemi vend të mjaftueshëm. Nuk e di për çfarë ndërtimi kanë leje, por unë kur kam shkuar të shikoj më ka pëlqyer vendi dhe para muajit të Ramazanit e kemi bërë kontratën. Po kemi kërkuar nga Kuvendi Komunal për të na lejuar t’i kryejmë ritualet fetare. Ndoshta e kundërshton një person i cili nuk është fare aty. Unë nuk i njoh ata që e kanë nënshkruar peticionin vetëm ma kanë sjellë peticionin disa banorë të lagjes që nuk i njoh”, ka thënë Sopjani.

Nga Drejtoria e Inspeksionit, Bekim Brestovci ka thënë se i janë vendosur shiritat për mosvazhdimin e përfundimit të këtyre punimeve në kundërshtim me lejen ekzistuese.

“E kam në dijeni këtë rast. Është njëri nga rastet e para të marra pasi e kam marrë detyrën e drejtorit të Inspektoratit. E vërteta është që me leje të ndërtimit ajo është e paraparë për t’u ndërtuar si shtëpi me të gjitha ndarjet e brendshme siç i takojnë një shtëpie, që të ketë dhomë fjetje, kuzhinë e dhomë të qëndrimit ditor. Sipas vlerësimit të inspektorëve dhe aq sa kam parë në lëndën e hapur në inspektorat, punimet e brendshme s’janë kryer siç kanë qenë në leje të ndërtimit dhe kjo ka qenë arsyeja që inspektorët tanë kanë marrë masa, natyrisht me një ankesë të banorëve sepse pastaj gjatë muajit Ramazan ky objekt është përdorur edhe për rituale fetare”, ka thënë ai.

Sipas tij, inspektori i akuzuar nuk është i përfshirë në marrje apo kërkim të ryshfetit për këtë rast.

“Unë nuk besoj që ndonjëri prej inspektorëve do të lëshohej në gjëra të tilla. Kemi dëgjuar disa deklarata por këto janë çështje të prokurorisë. Në bazë të përshtypjeve të mia nuk besoj që diçka e tillë ka ndodhur”, ka thënë ai.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në drejtim të Drejtorisë së Urbanizmit, nga e cila nuk është marrë asnjë përgjigje.