U rekrutua nga Ukraina për 100 mijë dollarë, Rusia arreston të dyshuarin për vrasjen e gjeneralit në Moskë

Shërbimi rus i sigurisë thotë se një 29-vjeçar nga Uzbekistani, është arrestuar për vrasjen e gjeneralit të lartë Igor Kirillov dhe ndihmësit të tij në Moskë.

Shërbimet ruse të sigurisë thanë se i dyshuari ishte rekrutuar nga inteligjenca ukrainase, sipas agjencive shtetërore të medias.

Qendra e marrëdhënieve me publikun e Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB) tha të mërkurën se 29-vjeçari i arrestuar ishte “dyshuar për kryerjen e një sulmi terrorist”.

Një deklaratë tha se gjatë “marrjes në pyetje ai shpjegoi se ishte rekrutuar nga shërbimet speciale të Ukrainës”.

Ai shtoi se me udhëzimet e Ukrainës, ai mbërriti në Moskë dhe mori me qira një makinë për të monitoruar rezidencën e Kirillov. Ai e vendosi pajisjen shpërthyese në një skuter elektrik, të cilin e parkoi në hyrje të ndërtesës së banimit ku jetonte Kirillov, tha FSB.

FSB tha se të dyshuarit i ishte “garantuar” një shpërblim prej 100,000 dollarësh dhe udhëtimi në një vend evropian për qëndrim.

Gjenerali Igor Kirillov, kreu i Forcave të Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike (NBC), ishte jashtë një blloku banimi herët të martën kur një pajisje e fshehur në një skuter u shpërthye nga distanca.

Ukraina mori të martën përgjegjësinë për vrasjen e gjeneralit të lartë rus, në një rrugë të Moskës. Atentati u bë përmes shpërthimit të telekomanduar të një bombe të vendosur brenda një motori të vogël (skuter) të parkuar pranë godinës ku banonte drejtuesi i lartë ushtarak.

Një ditë para vrasjes, Ukraina akuzoi 54-vjeçarin Kirillov, në mungesë, duke thënë se ai ishte “përgjegjës për përdorimin masiv të armëve kimike të ndaluara”.