U shkarkuan nga bordet që i emëroi Kurti, inspektori i afërt me PDK’në i kthen në punë Thaçin e Istrefin

Dy vendime të marra javë më parë nga bordet e përkohshme të dy ndërmarrjeve publike, të emëruara nga kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, janë hedhur poshtë si të kundërligjshme, të mërkurën.

Inspektorati i Punës, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka vlerësuar se Bedri Istrefi është shkarkuar në kundërshtim me ligjin nga posti i kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës.

I njëjti organ sot ka vendosur po ashtu që ta shpallë të kundërligjshëm edhe shkarkimin e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi.

Vendimet e Inspektoratit të Punës kanë obliguar bordin e Telekomit dhe bordin e KEK’ut që t’i anulojnë vendimet e tyre, dhe t’i kthejnë Istrefin dhe Thaçin në pozitat që kishin në ndërmarrjet në fjalë.


Nëse Telekomi dhe KEK’u nuk zbatojnë vendimet e Inspektoratit të Punës, dy ndërmarrjet rrezikojnë të dënohen me gjoba.

Kundër vendimeve është lejuar ankesë në afat prej 8 ditësh tek organi i shkallës së dytë i Inspektoratit të Punës.

Që të dy vendimet e sotme të Inspektoratit të Punës janë nënshkruar nga inspektori i punës, Ardian Megjani, me numër identifikues 1820, shkruan Gazeta Express.

Megjani njihet si militant i Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa më parë ishte punësuar si Zyrtar i Lartë Ligjor në Inspektoratin Shëndetësor, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, në vazhdën e instalimit të aktivistëve partiakë në institucione nga partitë e koalicionit të atëhershëm qeverisës mes PDK’së, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Megjani, përkrahës i kamotshëm i PDK’së, në veçanti i ish-kreut të saj, tani president i vendit, Hashim Thaçi, që e tregon edhe aktiviteti i tij në rrjetet sociale, mori pozitë të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, që e udhëhiqte asokohe nënkryetari i PDK’së, Uran Ismaili.

Tani inspektor i punës, Megjani në rrjetet sociale shprehte simpati për PDK’në, por edhe për vetë ministrin e Shëndetësisë.