U vranë nga raketat ruse në Kramatorsk, historia e binjakeve që po mallëngjen botën

Flokë bjonde, sy me shkëlqim, buzëqeshje e ëmbël. Fotoja e Anna-s dhe Julias, binjaket 14-vjeçare që u vranë në bombardimin rus të një restoranti në Kramatorsk, një qytet në Ukrainën lindore, po bën xhiron e botës dhe historia e tyre ka prekur gjithë planetin.

Trupat e tyre u nxorën nga rrënojat e restorantit Ria Pizza, i njohur dhe i frekuentuar nga komuniteti ndërkombëtar gazetaresk, së bashku me nëntë trupa të tjerë, përfshirë atë të një djali 17-vjeçar. “Një trishtim dhe dhimbje të padurueshme, ne nuk do ta falim,” tha Departamenti i Arsimit në Kramatorsk.

Anna dhe Julia Aksenchenko sapo kishin mbaruar shkollën numër 24 në Kramatorsk. Ato do të mbushnin 15 vjeç më 4 shtator. Mësuesja e tyre e matematikës, Lyudmila Osadcha, i quajti ato studente të zellshme. Ajo shpjegoi se të dyja ishin shumë të mira edhe në vizatim.

Pas fillimit të pushtimit rus, Anna dhe Julia ishin detyruar të largoheshin nga Kramatorsk, i cili është një nga qytetet më të shkatërruara nga lufta, pasi është disa dhjetëra kilometra nga fronti i Bakhmutit. Dy vajzat ishin shpërngulur në fshatin Dobropilja. Prej këtu ato studionin nga distanca. “Ato kishin ardhur në qytet me pushime për të parë nënën e tyre, e cila punon në një klinikë lokale. Fizikisht ishin shumë të ngjashme, por karakteret e tyre ishin të ndryshëm. Anna ishte më e drejtpërdrejtë dhe Julia ishte pak më e qetë. Anna e ka mbështetur dhe ndihmuar gjithmonë”, shpjegoi mësuesja e tyre.

Departamenti i arsimit i Kramatorsk komentoi vdekjen e dy motrave duke shkruar në një deklaratë se “raketa ruse ndaloi rrahjet e zemrave të dy engjëjve. Është e vështirë të gjesh fjalë ngushëllimi, e pamundur të shërosh dhimbjen dhe hidhërimin e humbjes”.

Anna dhe Julia do të varrosen në Dobropilja. Nëna kërkon dy fustane nusërie. “Për momentin nuk kemi një në qytet, nuk ka sallone të hapura,” shpjegoi mësuesja e vajzave.