Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me zhdukjen e dy 46 vjeçarëve prej disa ditësh në Sarandë.
Burime për ABC News së fundmi kanë mësuar se dy të zhdukurit Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, dyshohet se janë ekzekutuar dhe groposur në fshatin Vrinë të Bashkisë Konispol.
Mëngjesin e kësaj të diele, rreth 50 familjarë te Fatmir Sulovarit janë nisur drejt kësaj zone për ta krehur fizikisht dhe me mjete logjistike me qëllim gjetjen e trupave.
Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje burimet policore tregohen shumë të rezervuara në dhënien e informacioneve, megjithatë është mësuar se personat e shoqëruar prej 48 orësh janë me precedentë penalë, disa madje edhe të arrestuar dy vitet e fundit nga policia e Sarandës për vepra të rënda por të liruar më pas nga Gjykata e këtij qyteti.
Ndërkaq akoma nuk ka informacion nëse ndaj tyre ka ndonjë masë arresti, por motivi kryesor i ngjarjes dyshohet të jetë shit-blerja e një toke, edhe pse personat e dyshuar kanë precedentë për çështje të mëdha narkotikësh.
Autorët e dyshuar janë kujdesur të fshehin provat mirë, pasi një prej 8 automjeteve të sekuestruara për verifikim, rezulton që ka pasur disqet e gomave të lyera për kamuflim. Mungesa e provave konkrete, por kryesisht e trupave, mendohet se është arsyeja pse policia nuk po e konkludon operacionin me arreste. Megjithatë para Komisariatit të Sarandës është vënë re në orët e para të mëngjesit një sasi e konsiderueshme efektivësh e automjetesh, ndoshta për te rinisur operacionin qe prej disa ditësh po zhvillohet në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Vlorës.
Kush janë dy personat e zhdukur?
Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”, i dënuar disa here, i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.
Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMË” X5 u gjet nje sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.