Markijan Lubkjivski, këshilltar i ministrit ukrainas të mbrojtjes, tha se fluturakja që u rrëzua në Zagreb nuk ishte ukrainase.
Ai për mediumin jutarnji.hr tha gjithashtu se pritet një deklaratë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës, transmeton Reporteri.net.
Lubkjivski u kërkoi partnerëve kroatë të kryenin një hetim për të zbuluar se kujt i përkiste avioni dhe si mund të binte në Zagreb.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq gjatë ditës po ashtu foli për këtë incident.
Plenkoviq që aktualisht ndodhet në Versajë, ku po zhvillohet një takim i liderëve botërorë për situatën në Ukrainë tha se ajo është prodhim i Rusisë.
“Ky është një avion i prodhuar nga Rusia. Sipas asaj që kemi tani si informacion, është një i prodhimit rus. Nuk dihet nëse ishte në pronësi të ushtrisë ruse apo ukrainase,” tha Plenkoviq.
“Dihet se ajo erdhi në Kroaci nga drejtimi i Hungarisë, dhe në Hungari nga drejtimi i Rumanisë. Ne e dimë se ajo fluturoi disa minuta mbi Kroaci dhe u rrëzua në Zagreb. Është mirë që askush nuk u lëndua dhe ra në një pjesë që nuk është as shtëpi e as ndërtesë, shërbimet po bëjnë anketa”, tha ai.