Ukraina merr përgjegjësinë për vrasjen e gjeneralit të lartë rus – publikohen pamjet e shpërthimit, vjen reagimi i Kremlinit

Shërbimet e sigurisë të Ukrainës (SBU) ishin përgjegjëse për vrasjen e gjeneralit rus Igor Kirillov, ka thënë një burim për agjencinë Reuters.

Megjithatë, Sky News shkruan se nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Burimi tha se Kievi e konsideron Kirillovin si një kriminel lufte dhe një “shënjestër absolutisht legjitim”.

Burimi e akuzoi atë se kishte urdhëruar përdorimin e armëve kimike të ndaluara kundër forcave ukrainase në luftë.

Në anën tjetër, një zyrtar rus thotë se askush nuk dyshon se vrasja e Igor Kirillov është kryer nga shërbimet speciale të Ukrainës (SBU).

“Ata janë krenarë për këtë dhe ajo që është më e tmerrshmja është se ata inkurajojnë terrorizmin në Perëndim”, ka thënë Alexei Zhuravlev, nënkryetari i parë i komitetit të mbrojtjes të Dumës së Shtetit.

Ndërsa zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë thotë se Ukraina do të përballet me “hakmarrje” për vrasjen e Igor Kirillov.

Dmitry Medvedev, një aleat kryesor i Vladimir Putin, i tha RIA Novosti: “Udhëheqja ushtarako-politike e regjimit të Kievit do të përballet me një ndëshkim të pashmangshëm për vrasjen e Kirillov”.

Ndërkohë janë publikuar disa pamje që thuhet se tregojnë momentin e shpërthimit që vrau Igor Kirillov.

“Momenti i shpërthimit që vrau gjeneralin Kirillov dhe shoferin e tij mëngjesin e sotëm në Moskë. Eksplozivi u vendos në një skuter elektrik të parkuar pranë derës. Të paktën 10 apartamente u dëmtuan nga shpërthimi: u goditën dritare, lozha dhe ballkone. Shpërthimi ishte aq i fortë sa muret e ndërtesës u drodhën, raportojnë mediat ruse”, thuhet në përshkrimin e videos.