Ukraina mund t’i përdorë raketat britanike me rreze të gjatë veprimi për të goditur forcat ruse në Krime

Britania e Madhe është e gatshme të furnizojë forcat e armatosura ukrainase me raketa me rreze të gjatë veprimi që do të përdoren për të nisur sulmet drejt Krimesë së pushtuar nga Rusia.

Volodomyr Zelenksy vizitoi këtë javë Londrën për të nxitur një mbështetje më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar, ku kryeministri britanik, Rishi Sunak i konfirmoi presidentit ukrainas, “asgjë nuk është jashtë tryezës” kur bëhet fjalë për ndihmën ushtarake të Britanisë.

Mbretëria e Bashkuar iu bashkua SHBA-së dhe Gjermanisë në ofrimin e tankeve të nivelit të lartë për Ukrainën, por ato nuk ka gjasa të arrijnë deri në muajin mars ose prill, raporton metro.co.uk.

Rusia tani po kërkon të përfitojë nga kjo vonesë, ku sot është raportuar se ka nisur një ofensivë të re ushtarake.

Një zyrtar ushtarak ukrainas ka paralajmëruar se forcat ruse kanë grumbulluar 1800 tanke, 3950 automjete të blinduara, 2700 sisteme artilerie, 810 sisteme raketash të shumëfishta të epokës sovjetike, 400 aeroplanë luftarakë dhe 300 helikopterë në përgatitje për një ofensivë të madhe brenda dhjetë ditëve të ardhshme, raporton foreignpolicy.

Ndryshe, gadishulli i Krimesë është një çmim simbolik dhe strategjik si për Ukrainën ashtu edhe për Rusinë, ku kjo e fundit e kishte aneksuar në vitin 2014 ndërsa u dëshmua të jetë katalizator për konfliktin aktual.