Ushtria e Ukrainës në raportin e saj të përditshëm ka thënë se mbi 12 mijë ushtarë rusë janë vrarë që kur ka nisur ofensiva ruse në Ukrainë më 24 shkurt.
Sipas raportit të publikuar në Facebook, thuhet se janë shkatërruar edhe 374 tanke ruse, 1226 mjete të blinduara dhe 140 sisteme të artilerisë.
Është raportuar për 74 aeroplanë luftarakë të shkatërruar e 86 helikopterë luftarakë.
Forcat ruse janë duke e bombarduar qytetin ukrainas Lviv, raporton BBC.
Zyrtarët ushtarak të Lvivit kanë treguar se forcat ruse kanë kryer sulme ajrore dhe kanë hedhur tetë raketa në drejtim të Qendrës Ndërkombëtare të Paqeruajtjes dhe Sigurisë.
Qendra gjendet në qarkun Yavoriv, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Lvitit dhe është fushë e stërvitjes ushtarake.
Është parë zjarr i madh nga ajo zonë.
Në të vërtetë sirenat janë ndezur në disa pjesë të Ukrainës këtë mëngjes për të alarmuar për sulmet ruse, siç njofton agjencia e lajmeve “Ukrinform”.
Alarmet janë ndezur në Zhytomyr, që gjendet në perëndim të kryeqendrës Kiev, e po ashtu edhe në Ternopil, Rivne dhe Ivano-Frankivsk.
Kryebashkiaku i Ivano-Frankivsk ka treguar se forcat ruse kanë bombarduar aeroportin e qytetit.
“Sipas informatave preeliminare, shpërthimet këtë mëngjes ishin nga sulmi në një aeroport. Jua kujtoj se synimi i armikut është të ngjallë panik e frikë”, ka shkruar Ruslan Martsinkiv në Facebook.
Qyteti është rreth 114 kilometra në jug të Lvivit, ku është goditur një bazë ushtarake.