FOTO&VIDEO

“Unë do t’i jap fund luftës”, Trump telefonon Zelenskin pas atentatit

Për të parën herë që nga koha kur Donald Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë, ish-Presidenti amerikan ka pasur një telefonatë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Presidenti i Ukrainës dhe unë patëm një telefonatë shumë të mirë sot. Ai më përgëzoi për një Konventë Kombëtare Republikane shumë të suksesshme dhe për kandidaturën time si Republikan për President të Shteteve të Bashkuara. Ai dënoi atentatin e tmerrshëm të shtunën e kaluar dhe vuri në dukje se populli amerikan u bashkua në frymën e Unitetit gjatë këtyre kohërave”, tha Trump në një postim në Truth Social.

Biseda mes tyre përmes telefonit vjen një ditë pasi Trump pranoi zyrtarisht nominimin e Partisë Republikane për president, por edhe pas shqetësimeve të shtuara në Evropë për politikën që ish-Presidenti do të ndjek në raport me luftën Rusi-Ukrainë, pasi të vijë në pushtet në nëntor.

Pikërisht për këto zëra, Trump në postimin e tij ku njoftonte telefonatën tha se do të jetë ai që do t’i japë fund konfliktit të armatosur në zemër të Europës.

“Unë e vlerësoj Presidentin Zelensky për kontaktin sepse unë, si Presidenti juaj i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, do të sjell paqe në botë dhe do t’i jap fund luftës që ka kushtuar kaq shumë jetë dhe ka shkatërruar familje të panumërta të pafajshme. Të dyja palët do të jenë në gjendje të bashkohen dhe të negociojnë një marrëveshje që i jep fund dhunës dhe hap një rrugë përpara drejt prosperitetit”, shprehet Trump.

Edhe vetë Zelensky reagoi pas telefonatës me Trump me anë të një postimi në platformën ‘X’, ku tha se ai përgëzoi ish-presidentin amerikan për kandidaimin dhe dënoi atentatin tronditës në Pensilvani.

“I urova forcë dhe siguri absolute në të ardhmen. Kam vënë në dukje mbështetjen jetike dypartiake dhe dydhomëshe amerikane për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së kombit tonë. Ne ramë dakord me Presidentin Trump për të diskutuar në një takim personal se cilat hapa mund ta bëjnë paqen të drejtë dhe vërtet të qëndrueshme”, shprehet lideri i Kievit.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, Trump ka thënë vazhdimisht se mund ta zgjidhte luftën brenda një dite, por mbetet e paqartë se si do të arrijë ai të bindë Zelenskin dhe Putin për një marrëveshje që i jep fund konfliktit.

Në debatin presidencial muajin e kaluar, Trump tha se kushtet e Putinit për një marrëveshje, e cila do të përfshinte aneksimin e 4 rajoneve të pushtuara nga Rusia janë “të papranueshme”, por ish-presidenti dhe aleatët e tij kanë kritikuar gjithashtu dërgimin e ndihmës ushtarake të SHBA në Kiev.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • KRYESORE

Izraeli sulmon infrastrukturën e naftës në Teheran dhe në disa zona tjera strategjike, pamje

Forcat ajrore izraelite sulmojnë infrastrukturën iraniane të naftës në Teheran. IDF njoftoi se ndërmori një…

1 orë ago
  • BOTA

VIDEO/ Momenti kur aktivizohet sistemi mbrojtës ajror, sulmohet Ambasada Amerikane në Bagdad

Një sistem mbrojtës ajror u aktivizua pranë Ambasadës Amerikane në Bagdad të shtunën në mbrëmje,…

13 orë ago
  • LAJME

‘Çfarë do t’i them popullit?’ Shqetësimi i Ibrahim Rugovës që nuk takoi zyrtarë të lartë në ShBA

Mal Berisha, ish-ambasador e diplomat, ka treguar një rrëfim interesant nga takimet e tij në…

18 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Kërcënoi me vdekje kandidatin shqiptar për kryetar të Cyrihut për shkak të qëndrimeve për Gazën, arrestohet shtetasi malazez

Fushata zgjedhore në qytetin e Cyrihut po tregon anën e saj të shëmtuar pak para…

21 orë ago
  • KRYESORE

Tronditje në Emiratet e Bashkuara Arabe: Raportohet se është goditur aeroporti i Dubait, fluturimet janë pezulluar menjëherë

Shpërthime të forta janë raportuar në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në kryeqytetin…

1 ditë ago
  • KRYESORE

Sulmohen bazat amerikane! Natë ferri në Iran, mbi 80 avionë izraelitë mbi Teheran, bie aeroporti

Irani ka përjetuar një tjetër natë ferri. Shpërthime të fuqishme kanë ndodhur një nga aeroportet…

1 ditë ago