“Ushtarët amerikanë të KFOR-it janë vendosur në Veri, pas dështimit të bisedimeve në Bruksel”

Trupat amerikane në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë dislokuar përgjatë rrugëve kryesore në Veri të Kosovës, pasi takimi i tretë i nivelit të lartë në kuadër të dialogut nuk prodhoi asnjë rezultat konkret në Bruksel.

Kështu të paktën raporton agjencia prestigjioze e lajmeve, Associated Press.

Më tej mediumi prestigjioz raporton se shumë vendas kanë frikë se dështimi i këtyre bisedimeve politike që kishin për qëllim zgjidhjen e bllokimit 20 vjeçar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, mund të çojë në një formë të konfliktit lokal ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Se KFOR-i, ka rritur prezencën e trupave të tij në dy pikë kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak si dhe ka shtuar patrullimin në këtë pjesë të vendit, ishte bërë i ditur edhe nga Zyra për Media të KFORI-t në një përgjigje me shkrim, për mediumin serb me seli në Kosovë “Kosovo-Online”.

5 orë bisedime, 1 deklaratë, asnjë marrëveshje

Janë dashur dy raunde takimesh trepalëshe (Kosovë, Serbi, BE) takime veç veç (Kryeministri Albin Kurti dhe Josep Borell e Miroslav Lajcak) dhe (Aleksandër Vuçiç, Josep Borell e Miroslav Lajçak), dhe pesë orë bisedime në një dhomë të Komisionit Evropian, por rezultati ka qenë, pajtimi për një tjetër takim, i cili, megjithatë nuk dihet se kur do të ndodhë.

Takimi i Kurtit me Vuçiç e ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian ishte i treti (përfshirë dhe atë jo formal në Berlin).

Por, palët, siç u kumtua nga Borell, nuk e arritën mesin as pas 300 minutash bisedë pasi pozicionet fillestare ishin skajshmërisht të kundërta.

Borell shtoi me dhimbje se megjithatë marrëveshje s’ka.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur asnjë marrëveshje sot”, por deklaroi se “nuk dorëzohem” dhe se ky takim “nuk është fundi”.

“Dy liderët u dakorduan për të vazhduar diskutimet, dhe bisedimet do të vazhdojë në ditët në vijim”.

Shefi i diplomacisë evropiane tha edhe se ka ende kohë deri më 1 shtator, në ditën kur rinis implementimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës, për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitet.

Megjithatë spanjolli është treguar i prerë në rast se situata tensionohet përsëri në Veri.

“Dua të ju them se nëse situata në terren përkeqësohet përsëri, atëherë fajtorë janë të dyja palët”.

Ai ka përsëritur faktin se takimi në fjalë nuk ka qenë një takim i zakonshëm në kuadër të dialogut, por një takim për “menaxhim të krizës”.