Alarmin e ngritur mbrëmjen e djeshme nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se forcat serbe gjatë së shtunës janë afruar rreth 50 m nga kufiri i Kosovës pranë Kamenicës, e ka hedhur poshtë Serbia duke thënë se motivi nuk ishte provokimi i ndonjë incidenti të mundshëm.
Përmes një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes, Beogradi sqaron versionin e vetë për faktin pse forcat e ushtrisë ndodheshin pranë kufirit me Kosovën. Dhe sipas tyre arsyeja ke qenë thjeshtë dhe vetëm “për të parandaluar kontrabanduesit e drunjve të prerë ilegalisht nga territori i Serbisë, që është kthyer në një biznes ilegal fitimprurës”, përcjell A2.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë refuzon të pranojë akuzat e Kurtit për një tentativë të tyre për të nxitur tensione, duke theksuar se deklaratat për lëvizjen e forcave të ushtrisë serbe afër Kosovës “janë vazhdimësi e fushatës dezinformuese të drejtuar kundër ushtrisë serbe dhe forcave të sigurisë serbe”.
Sipas tyre postimi i Kurtit në rrjetin social Facebook tregon vërtetë Forcat e Armatosura të Serbisë në lokacionin e përmendur, por ata pjesëtarë ndodhen në Zonën e Sigurisë Tokësore duke “kryer detyra të rregullta për sigurimin dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”