Në Parkun Arkeologjik të Amantias në Vlorë ka dalë në pah edhe një varr parahistorik. Arkeologët kanë hasur në gjurmë të tij këto ditë, përderisa lajmi është bërë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas njoftimit të kryeministrit Rama, kjo është një dëshmi e gjallë e ekzistencës së qytetërimeve të lashta ilire.
“Një vlerë e shtuar e trashëgimisë e historisë sonë, që shumë shpejt do të jetë pjesë e tureve dhe guidave turistike”, ka shkruar kryeministri Rama.
Sipas tij, gërmimi arkeologjik u bë nga një ekip arkeologësh dhe restauruesish të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Vlorë, të cilët zbuluan dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë, ndërkohë që po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin e gjetur. Në atë zonë, varret monumentale kanë një arkitekturë të veçantë dhe histori mijëravjeçare.
Sipas raportimeve mediatike, ekzistenca e këtij varri është pretenduar gjatë gërmimeve arkeologjike të shpëtimit të realizuara në vitin 2020, kur u zbulua varri i parë monumental në atë territor.
“Brenda hapësirës së varrit monumental me blloqe guri, është ndërtuar një varr me muraturë tulle. Nga elementet e tjerë të zbuluar, tërheq vëmendjen suvatimi i hapësirës së brendshme të dhomës së varrimit”, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare. Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike. Po ashtu raportohet se përreth varrit monumental, u gjetën dhe u dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë. Krahas masave paraprake të konservimit, specialistët e DRTK-së së Vlorës po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin.
Sipas të dhënave të institucioneve shqiptare, Amantia si vendbanim u themelua në fund të shekullit 5 para erës sonë dhe ndodhet në një kodër në zonën e Labërisë e fortifikuar me mure. Në shekullin e 3-të para erës sonë qyteti u forcua ekonomikisht dhe thuhet se preu monedha.
Ajo lidhet me luginat e lumenjve Vjosa dhe Shushica dhe me rrugët e lashta që kalonin nëpër to. Ky pozicion bëri që Amantia të shndërrohej në një nyje të rëndësishme në marrëdhëniet tregtare midis bregdetit jugor të Ilirisë dhe krahinave të brendshme.