Policia italiane vijon hetimet mbi vdekjen e 26-vjeçares Anila Grishaj në vendin punës.
Pas 1 muaji nga ngjarja e rëndë, një tjetër pistë hetimi është shtuar nga Prokuroria: “Dyshohet se shkaku i vdekjes së 26-vjeçares mund të ketë qenë një mosfunksionim i sistemit të sigurisë”, raportojnë mediet italiane.
Bëhet fjalë për një makineri ambalazhues të avancuar, që kushton një milion euro, të cilin kompania e përdor prej pesë muajsh. Nuk dihet nëse ka funksionuar siç duhet atë ditë. Në vijim do të bëhet një vlerësim teknik mbi pajisjen.
Pista e dytë e hetimit fokusohet në një gabim të mundshëm njerëzor. Sipas këtij skenari Anila mund të ketë dhënë komandën e ndezjes së pajisjes ndërsa ka qenë shumë pranë saj.
26-vjeçarja Anila Grishaj humbi jetën pasditen e 15 Nëntorit teksa punonte në kompaninë për produkte të ngrira ku së fundmi ishte bërë nëndrejtoreshë. Si pasojë asaj iu shtypën rruazat e qafës duke humbur menjëherë jetën.