Vëllai i Mitropolitit të Kishës së Serbisë Joanikije, Milutin Miçoviç, kritikoi formimin e një qeverie të pakicës në Mal të Zi, që do ketë si kryeministër shqiptarin Dritan Abazoviç, duke pretenduar se kjo do të prodhonte konflikt në këtë vend, njësoj si në Ukrainë.
“Për momentin, kjo gjendje në dukje harmonike e pushtetit, e cila ende nuk ka hyrë në jetë, do të kthehet shpejt në një gjendje konflikti.
Asnjë njeri normal nuk e dëshiron këtë, por kjo strukturë politike, me kaq shumë mendje politike heterogjene, e cila ka vetëm ambicien të sundojë Malin e Zi, do të përshpejtojë absurditetin që u ndez para syve tanë jo larg, në Ukrainë”, shkruan ai në Facebook.
Ai pretendonn se “Mali i Zi parashikohet të jetë një Ukrainë e vogël”.
Miçoviç, i cili njihet për mohimin e malazezëve dhe kombit malazez, ka vlerësuar se formimi i qeverisë së pakicës është “diçka serioze”.
“Seriozisht, në një farë kuptimi – pothuajse katastrofike. Edhe pse kjo qeveri u formua publikisht sipas disa skrupujve demokratikë, forcat e errëta dhe konfliktet e paskrupullta, të cilat janë shtuar në dekadat e fundit në Mal të Zi, së shpejti do të shfaqen. Dhe konflikti i përshpejtuar është instaluar edhe në vetë strukturën e qeverisë: një e treta e saj do të jenë përfaqësues të kombeve pakicë”, shkruan ai.
Miçoviçc, në fund të vitit të kaluar mori çmimin “Ungjilli i Miroslavit” për librin “Dritat në errësirën e Malit të Zi”, një vendimi i jurisë pesë anëtarëshe që shkaktoi reagime të ashpra në opinionin politik dhe intelektual malazez.