Askush nga institucionet e Kosovës “nuk ka kontaktuar as me Dioqezën e Rashkës-Prizrenit, as me Manastirin e Deçanit”, në lidhje me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, për tokën e Manastirit të Deçanit.
Kështu thonë nga Dioqeza e Rashkës-Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duke theksuar se, prej vitesh, dëgjojnë mesazhet e zyrtarëve më të lartë të Kosovës se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit “nuk është sjellë ligjërisht dhe nuk mund të zbatohet”, andaj “duhet të ketë një dialog kishtar për të”.
Fillimisht u raportua se Qeveria e Kosovës është duke pritur nga Komuna e Deçanit që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me të cilin kërkohet që manastirit mesjetar ortodoks t’i kthehen 24 hektarë tokë dhe pyll – gjë të cilën komuna ka refuzuar ta bëjë deri më tani.
Po ashtu, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti është duke biseduar për zbatimin e këtij vendimi me autoritetet lokale në Deçan dhe aktorët tjerë relevantë, në prag të seancës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Një veprim i tillë është justifikuar me “respektimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës”.
Megjithatë, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Qeveria e Kosovës kërkon zbatimin e vendimit, ai tha se “nuk beson se Qeveria do ta kërkojë një gjë të tillë”.
Nga Dioqeza e Rashkës-Prizrenit thonë se rasti i regjistrimit të tokës në kadastër është bartur vazhdimisht nga niveli komunal në atë qendror dhe anasjelltas, dhe kështu “është shmangur ekzekutimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese tash e tetë vjet”.
“Prandaj, presim që institucionet e Kosovës, më në fund, ta kryejnë punën e tyre në përputhje me ligjin, ta regjistrojnë tokën tonë në kadastër dhe t’i lëshojnë manastirit një vërtetim pronësie, në përputhje me vendimin e Gjykatës. Besojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigje.
Shtohet, po ashtu, se Kisha Ortodokse Serbe ka qenë gjithmonë e gatshme “për dialog, me qëllim të përmirësimit të jetesës dhe zgjidhjes së çështjeve praktike”.
Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë që t’i regjistrojnë në kadastër të Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyll, për shkak se besojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.
Ata, gjithashtu, vlerësojnë se Gjykata Kushtetuese e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, me të cilin ai ka vendosur që t’ia dhurojë këtë pronë Manastirit të Deçanit.
Deri më tash, këtë qëndrim të pushtetit lokal e kanë përkrahur edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, raporton rel.
Por, nga Manastiri i Deçanit thonë se një qëndrim i tillë i zyrtarëve kosovarë kërcënon sigurinë e Manastirit, sepse publikut i prezantohet “sikurse vetë Manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.
Ata shpjegojnë se në vitin 1997 atyre i janë kthyer 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, e cila u është marrë nga pushteti komunist i Jugosllavisë, në vitin 1946.
Vendet e QUINT-it – SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia – kanë thënë në maj të vitit 2023 se shtyrja e mëtejshme e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, mund të ndikojë në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.