Në ish-objektin e komunës paralele të Mitrovicës së veriut është duke u vendosur një pllakë e departamentit të patentë shoferëve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
KOHA ka siguruar pamje nga momenti i këtij veprimi, ku të pranishëm kanë qenë edhe Policia e Kosovës.
Të premten është zhvilluar aksion policor për mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri.
Ky aksion është dënuar nga faktori ndërkombëtar si tjetër veprim i pakoordinuar i Qeverisë, që rrezikon t’i përshkallëzojë panevojshëm tensionet dhe ta minojë reputacionin e Kosovës si partnere të besueshme.
Në aksionin e së premtes u mbyllën pesë komuna paralele që vepronin në të ashtuquajturin Qarkun Administrativ të Mitrovicës, ku përfshihen komunat e Mitrovicës, Zveçani, Zubin-Potok dhe Leposaviq, e të cilat dyshohet se lëshonin dokumentacion të falsifikuar.
Këto struktura kanë operuar në Kosovë që nga përfundimi i luftës, më 1999. Ato nuk kanë pushuar aktivitetin as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2008 e as pas marrëveshjes për shuarjen e tyre të arritur në prillin e vitit 2013 në kuadër të dialogut.
Kryesisht në krye të këtyre organeve serbe, kanë qenë njerëzit e njëjtë që kanë drejtuar komunat e dala nga zgjedhjet e Kosovës.