Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do t’i drejtohet organeve të drejtësisë, për “akuzat e pavërteta” që sipas tyre, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë ndaj “grupit të Kurtit”.
VV thotë se presidenti gjatë konferencës tha një mori të pavërtetash dhe nxiti përçarje.
Sipas tyre, “këto të pavërteta të formuluara kësilloj janë padyshim të qëllimshme dhe marrë parasysh institucionin që përfaqëson janë edhe të papranueshme”.
“Të tre këto deklarime që Presidenti tha janë larg të vërtetës ngase as nuk ka pasur vendime selektive mbi baza politike në Qendrën e Studentëve për karantim, as nuk ka pasur sinjale nga organet kompetente për rrezik ndaj deputetit Pacolli dhe nuk ka asnjë dëshmi të bazuar që dikush të marrë guximin të thotë që kemi të bëjmë me ‘shtyrje në vetëvrasje’. Përpjekja e Presidentit për të manipuluar politikisht vdekjen tragjike të një të riut tonë, pa i pritur as rezultatet e hetimeve zyrtare, është e patolerueshme në një shoqëri të civilizuar. I ndjeri dhe familja e tij nuk meritojnë një trajtim të tillë nga askush, lëre më nga një zyrtar i lartë shtetëror që, sipas Kushtetutës, do të duhej të përfaqësonte unitetin e popullit”, thuhet në njoftim.
Vetëvendosje thotë se për akuza të tilla, Thaçi duhet të marrë përgjegjësi.
“Është tej mase e trishtueshme të shihet se si Presidenti mundohet të përdorë dhimbjen dhe fatkeqësinë e dikujt tjetër, për të hedhur baltë mbi institucionet e vendit. Presidenti, është duke mbuluar me turp postin që e mban, duke zvetënuar integritetin moral e shtetëror të figurës së Presidentit duke u kthyer në një zëdhënës të insinuatave të fabrikuara nga vet ai dhe rrjeti i ndikimit të tij ilegal. Ndjehet e dëshmohet se qytetarët në shumicë janë të distancuar nga një frymë e tillë përçarëse dhe jorrallë edhe në mungesë të humanitetit”, thuhet tutje në njoftim.