Albin Kurti do ta udhëheqë edhe Lëvizjen Vetëvendosje edhe Qeverinë, pas zyrtarizimit si kryeministër i Kosovës.
Një gjë e tillë, me statut të Vetëvendosjes nuk është e lejueshme, megjithatë neni që përcakton një gjë të tillë, pritet të ndryshohet shumë shpejt, raporton KTV.
Në nenin 73 të statutit të Vetëvendosjes thuhet se “nëse kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje zgjidhet kryeministër, jep dorëheqje nga pozicioni i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje”.
Lidhur me ndryshimet që do të bëhen në statut, Kohavisioni ka dy javë që është duke provuar të kontaktojë edhe me zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ndryshimin e këtij neni, në mënyrë që Kurti t’i mbajë të dyja pozitat, të paarsyeshëm është duke e parë Arton Demhasaj.
Sipas tij, fokusi i kryetarit të Vetëvendosjes do të duhej të ishte në udhëheqjen e Qeverisë.
Deri më tani, përkundër takimeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë arritur të merren vesh për ndarjen e posteve në kabinetin e ri qeverisës.