Video e re nga përballja e Abazoviqit me protestuesit, shpërthejnë fyerjet anti-shqiptare

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është përballur, mbrëmjen e së premtes, me një turmë protestuesish të tensionuar. Gjatë ballafaqimit me turmën, Abazoviq është fyer në baza racore nga protestuesit.

https://www.youtube.com/watch?v=V0Jn5k3u7zo&ab_channel=FMImagesAlbania

Dhjetëra njerëz janë mbledhur pranë godinës së televizionit publik në Podgoricë, pak ditë pasi Lëvizja Qytetare Ura e Abazoviqit njoftoi se ka dërguar në procedurë parlamentare mocionin për mosbesim ndaj Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit.

“Nuk do të tradhtoj vullnetin elektoral të qytetarëve,” mësohet të ketë thënë Abazoviq para protestuesve të cilët ia kishin zënë pritën.

Në pamjet që tashmë janë bërë virale, protestuesit dëgjohen derisa i drejtohen Abazoviqit me fjalë fyese raciste.

Siç raporton Vijesti.me, njëri nga të grumbulluarit ka bërtitur: “Shqiptarët nuk do të na komandojnë”. Por, kundër një deklarate të tillë kanë reaguar disa protestues të tjerë.

“Siptari”, “Dil o vogëlush” dhe “I more lekët Dritan?”, ishin disa nga thirrjet tjera, me të cilat u përball Abazoviq.

Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, i cili sonte ishte edhe mysafir në televizionin publik, doli para të mbledhurve, ndërsa policia ka parandaluar incidentin.

Derisa ditë më parë kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, deklaroi se ka iniciuar shkarkimin e Abazoviqit nga posti i zëvendëskryeministrit.