Më pak se një muaj para sulmit të Hamasit, i cili solli shembjen e “Murit të Hekurt” të sofistikuar të Izraelit dhe shkaktoi mbi 1300 viktima në mesin e popullatës izraelite, grupi i Hamasit kreu një stërvitje provë, nën sytë e të gjithëve duke publikuar një video dy minutëshe.
Video propagandistike është shpërndarë në rrjetet sociale më 12 shtator. Pamjet e Hamasit tregojnë qartë se luftëtarët përdorin eksploziv për të rrëzuar një barrierë kufitare, e cila është krijuar si një kopje e kufirit izraelit. Pasi e shembin, më pas ata shihen në video se futen në në ‘territorin izraelit’ me kamionë. Në video shihet se si militantët e Hamasit qëllojnë me armë zjarri automatik drejt ‘objektivave’ të tyre, që në fakt ishin prej letre.
Ky informacion është bërë i ditur nga transmetuesi amerikan NBC. Stërvitja përfshiu militantë të pajisur me forca të blinduara dhe pajisje luftarake duke shkatërruar kopjet e kullave të betonit të murit dhe një antenë komunikimi, duke përsëritur atë që do të ndodhte më vonë në sulmin vdekjeprurës kundrejt Izraelit të shtunën më 7 tetor.