VIDEO: Sillnin lëndë narkotike me postë nga Britania në Shqipëri, arrestohen dy 18-vjeçarët

Dy 18-vjeçarë janë arrestuar në Durrës pasi akuzohen se sillnin lëndë narkotike me postë, nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri. Policia bën me dije se në pranga kanë rënë të rinjtë, M. V. dhe D. Sh., të cilët akuzohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Green mail 2”, u sekuestruan 2 pako me 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

“Në vendin e quajtur “Rrethrrotulli”, Plepa, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në taksinë me të cilën udhëtonte drejt Tiranës, shtetasi D. Sh. Si rezultat i kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 340 gramë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pakot kanë ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri dhe se porositësi i tyre është shtetasi M. V., i cili ka dërguar shtetasin D. Sh. për t’i marrë pakot nga vendi i mbërritjes (Durrës) dhe për t’i sjellë në Tiranë. Vijon puna nga Njësia për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të.”, njofton policia.