Viola von Cramon: Klasë politike totalisht e papërgjegjshme

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur tragjike atë që ndodhi të mërkurën mbrëma në Kuvendin e Kosovës, ku u rrëzua Qeveria Kurti përmes një mocioni.

Ajo në një reagim në postimin e Ambasadorit Boris Ruge, zv.president i Konferencës së Munihut, ka shkruar në Twitter, se tash votat janë vjedhur sërish nga të vjetërit.

“Nuk e di se çfarë të them. Një klasë politike totalisht e papërgjegjshme. Vendosin interesat partiake dhe karrierat e tyre para vendit të tyre. Njerëzit e gjorë në Kosovë kanë shpresuar për reforma, sundim të ligjit, drejtësi dhe të ardhme më të mirë. Tash votat janë vjedhur nga të vjetërit sërish. Tragjike”, ka shkruar ajo.

Menjëherë pas votimit të mocionit kishte reaguar edhe diplomati gjerman, që ka shërbyer në disa vende.

“Ata që e rrëzuan Qeverinë e Kosovës midis një pandemie, do të duhet t’iu përgjigjen pyetjeve të përgjegjësisë dhe legjitimitetit. BE-ja, Franca dhe Gjermania janë për t’u përgëzuar për përkrahjen e tyre të fortë për kryeministrin Kurti”, shkruan ai në “Twitter”. “E hidhur të shohësh se SHBA-ja po ndjek një agjendë të veçantë dhe të rrezikshme”, vazhdon ai.