Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski ka pritur në një takim këtë të mërkurë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelenski ka publikuar një video ku pret të dy kryeministrat në Pallatin Presidencial në Kiev.
Sipas Zelenskit, kjo vizitë tregon mbështetje për Ukrainën dhe njerëzit e saj.
“Partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të vijnë në Ukrainë. Dhe kjo është një shfaqje e rëndësishme e mbështetjes për njerëzit tanë. Sot takohem me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç”, shkruan Zelenski krahas videos.
Më herët gjatë ditës së sotme, Rama dhe Abazoviç vizituan zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin, si dhe ekspozitën me dëshmi të luftës ruso-ukrainase.
Rama do të takojë edhe Kryeministrin e Republikës së Ukrainës ,Denys Shmyhal dhe më pas kryetarin e Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko.