Mëngjesin e kësaj të hëne është akostuar në Portin e Durrësit “La Belle De L’Adriatique”, e cila ka sjellë 134 turistë, kryesisht francezë.
Për të disatin vit radhazi është pikërisht “Bukuroshja e Adriatikut”, që hap siparin e sezonit turistik për kroçerat të cilat sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës.
Anija me gjatësi 111 m, e cila lundron nën flamurin belg u ankorua në kalatën 5 të portit.
Turistët e huaj gjatë qëndrimit njëditor në Durrës ndalen në sitet arkeologjike të Durrësit, Krujës e Tiranës.
Ky nuk do të jetë lundrimi i saj i vetëm drejt Durrësit për këtë vit, ndërsa mësohet se gjatë këtij sezoni kjo anije turistike do të vizitojë portin më të madh të vendit edhe 5 herë të tjera.