Gjykata e Elbasanit ka dhënë sot dënimet për 4 adoleshentët të cilët vranë bashkëmoshatarin e tyre në Gramsh.
Për ngjarjen e ndodhur në maj të vitit 2023, Ergi Karaj u dënua me 12 vite burg për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese, 10 vite burg për veprën penale të plagosjes, 10 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë si dhe 5.5 vite për armëmbajtje.
Në total për adoleshentin u dhanë 27 vite burg dhe me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, ai do të duhet të qëndrojë për 18 vite pas hekurave.
Ndërkohë, Orgito Çarçiu u dënuar për katër vepra penale me 21 vite burg në total dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të vuajë 14 vite pas hekurave.
Xhonatan Çekrezi u dënua nga gjykata për 4 vepra penale me 12 vite burg, dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të qëndrojë 8 vite pas hekurave.
Ndërsa, Stiven Murati u dënua nga gjykata me 10 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.
Ngjarja në fjalë ndodhi më 16 Maj të vitit të shkuar. 15-vjeçari Fatjon Bici u vra me thikë vetëm pak metra larg shkollës, në një nga lulishtet e qytetit të Gramshit.
Krimi ndodhi pasi katër autorët, të moshave 15 dhe 16 vjeç, i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale.