Tre persona janë shoqëruar për ngjarjen kriminale të ndodhur ditën e sotme në fshatin Bodrishtë, të bashkisë së Dropullit. Bëhet fjalë për dy banorë të këtij fshati dhe një bari shtegtar i bagëtive të imëta.
Shoqërimi i tyre është bërë në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për krimin.
NGJARJA
Një çift të moshuarish janë gjetur pa shenja jete mëngjesin e kësaj të enjte në fshatin Bodrishtë të bashkisë së Dropullit.
Kanë qenë komshinjtë, ata që kanë konstatuar të parët trupat e pajetë dhe kanë lajmëruar policinë dhe shërbimin e urgjencës.
Policia në vendngjarje nga këqyrja paraprake e trupave të viktimave ka konstatuar shenja të dhunës të shkaktuar me mjete rrethanore. Ndërsa nuk janë konstatuar thyerje apo hapje me forcë të dyerve apo dritareve të banesës. Ashtu sikurse nuk janë konstatuar çrregullime të tjera në banesën e të moshuarve. Këta të fundit janë identifikuar si Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe.
Dyshimet kryesore janë se vrasja e dyfishtë mund të këtë patur si motiv grabitjen e të moshuarve, edhe pse nuk ka të dhëna që çifti i të moshuarve të kishte sende me vlerë apo vlera monetare. Sipas banorëve të zonës, çifti nuk kishin fëmijë dhe gjithë jetën kanë jetuar vetëm së bashku dhe asnjëherë nuk kanë patur probleme.