Vrasja e Visart Cengut, gazetari: Policia në Morinë nuk vuri re që makina ishte qëlluar me plumba dhe kishte të plagosur brenda

Gazetari Flamur Gajtani nga Kosova ka hedhur më shumë dritë lidhur me vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi Visart Cengu, nga Dibran Hoxhaj i njohur si ‘Kobra’ në Prizren.

Gajtani ka deklaruar se ajo që është më e rëndë në këtë ngjarje është se Policia Kufitare në Morinë, nuk e ka vënë re që makina ku po udhëtonte Cengu me shokët e tij kishte shenja plumbash dhe të plagosur brenda.

“Kanë kaluar kufirin dhe nuk janë vënë re në kufirit që brenda makinës ka të plagosur dhe që makina ka qenë e dëmtuar”, tha Gajtani.

Ai ka sqaruar se Cengu me shokët e tij, Arben Basha dhe Rufgen Shehu u nisën drejt spitalit të Kukësit dhe jo Prizrenit, ndonëse e kishin më afër, për shkak se kishin ende frikë nga Dibran Hoxhaj.

“Kanë shkuar në Spitalin e Kukësit, dhe jo të Prizrenit, se kanë pasur frikë se do i ndiqte nga pas dhe se bilanci do ishte më i keq”, shtoi ai për Report tv.

Gazetari Flamur Gajtani ka shkuar në shtëpinë e viktimës në Kukës, ku ka treguar se familja ka mohuar që shkak të ketë qenë fatura 400 euro e papaguar, e ndërsa tha se është shumë i mërzitur për faktin se nuk e kishte pritur kurrë që djali t’i vritej nga shqiptarët e Kosovës.

“Axha e viktimës ka thënë që kishim dëgjuar për të, por nuk kemi pasur njohje nga afër. Kanë mohuar çështjen e faturës 400 euro, duke thënë se nuk ka qenë në kulturën e tyre që të hanë diçka dhe të mos paguajnë, duke e konsideruar si thikë pas shpine nga Kosovarët, nuk e ka pritur që djali i tyre të vritej nga kosovarët”, deklaroi Gajtani.

Ai ka dhënë edhe detaje se si njihej Dibran Hoxhaj në Prizren.

“Që në 2008 thuhet se është duke u hetuar për 16 vepra penale, armëmbajtje pa leje, për konflikte, manipulim të provave, në lokal kur ka ndodhur vrasja, kur ka shkuar policia i kanë hequr kamerat e sigurisë, prandaj janë arrestuar dhe stafi i lokalit. E kemi parë dhe në emisione, ku shpërfaqte jetën e gangsterit, me dhjetëra persona të rrethuar, pra nuk është një person dosido”, përfundoi Gajtani.

Brenda lokalit ‘Kobra City’ fillimisht nisi përplasja fizike mes tre të rinjve që kishin ardhur në Prizren nga Kukësi për të festuar. Pasi kanë dalë nga lokali gjatë tentativës për t’u larguar me automjetin e tyre, drejt të rinjve është qëlluar me armë zjarri nga pronari i objektit, Dibran Hoxhaj.

Për pasojë, Visart Cengu ka ndërruar jetë gjatë rrugës për t’u dërguar në spitalin e Kukësit, ndërsa shoku i tij, Rufgen Shehu është dërguar më pas në spitalin e Traumës në Tiranë ku paraqitet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Ai ka marrë në plumb në këmbë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orëve të para të mëngjesit të 3 janarit. Shkaku i konfliktit, sipas asaj që është raportuar në mediat e Kosovës, raportohet të ketë qenë fatura prej 400 eurosh, me të cilën të rinjtë nga Kukësi nuk ishin pajtuar, por familja e mohoi.