Vrasja e Xhulianos në Vlorë, shkak 100 kg drogë që u ble me para false, autori shok i qelisë

Blerja e një sasie droge prej 100 kg hashash, deri në këto momente dyshohet të jetë bërë shkak i vrasjes me 3 plumba të 25-vjeçarit nga Peqini, Xhuljano Bullarit.

Autori i krimit, Bledar Selmanaj, ka dhënë një dëshmi kontradiktore në polici, duke pohuar se blerja e kësaj sasie droge nga shokë të Xhuljanos është bërë në Vlorë, dhe se pagesa është kryer me para false.

Por pavarësisht kësaj dëshmie, Bledar Selmanaj, nuk ka pranuar autorësinë e krimit, duke pretenduar se ai nuk e ka qëlluar shokun e tij me armë.

“Unë e kam transportuar në mesnatë deri në Babicë dhe aty e kam lënë vetëm. Jam kthyer në shtëpinë time në Vlorë dhe kam fjetur aty”-ka thënë Bledar Selmanaj.

Ora News mëson se viktima Xhuljano Bullari dhe autori i dyshuar i vrajses, Bledar Selmanaj, janë njohur në ambjentet e burgut.

Ata kanë ndarë qelinë së bashku, ku Bullari vuante një dënim prej 3 vite e 4 muaj për akuzën e “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Ndërsa Bledar Selmanaj ndodhej në burg për një dënim për vjedhje të përsëritur.

Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se Bullari kishte lënë qelinë e burgut më herët.

Ndërsa Selmanaj është liruar nga qelia një muaj më parë, pikërisht në 5 korrik 2021.

Shoqëria e nisur në burg ka vijuar edhe jashtë tij, pasi Selmanaj dhe Bullari, qëndronin vazhdimisht me njëri-tjetrin.

Në këto pak ditë lirie, dy të rinjtë i qenë futur biznesit të drogës, duke e blerë në fshatrat e Vlorës dhe transportuar në Tiranë dhe Vlorë.

Ky biznes kishte joshur aq shumë të rinjtë, saqë autori i krimit në profilin e tij në “Facebook”, shkruante se kishte filluar punë si biznesmen.

Por ky biznes i sapo nisur është kthyer në shkaktarin për lindjen e konflikteve mes dy shokëve të qelisë, ku njëri prej tyre, Xhuliano Bullari, mbeti i vrarë me tre plumba brenda një automjeti tip “Fiat Punto”.

Trupi i pajetë i tij është gjetur në një zonë të braktisur nga banorët e zonës, zonë kjo që njihet nga vendasit si “Qafa e Topit”.

Kamerat e sigurisë në qytetin e Vlorës dhe një karburanti në fshatin Babicë, kanë sjellë zbardhjen e ngjarjes pasi viktima ishte parë nën shoqërinë e Bledar Selmanaj.

Këtij të fundit policia i gjeti dhe një aparat telefonik, që lokalizonte autorin se kishte qënë ditën e krimit në fshatin Babicë.

Dhe mbi të gjitha, policia gjeti të groposur në oborrin e shtëpisë së Bledar Selmanaj armën e zjarrit me të cilën ishte vrarë Xhuliano Bullari si dhe një armë tjetër pistoletë e fshehur në mur.

Pavarësisht këtyre provave kompromentuese, sërisht Bledar Selmanaj, nuk ka pranuar autorësinë e krimit.

Ndërsa pritet që ditën e nesërme ai të dalë para gjykatës së Vlorës, për tu njohur me masën e sigurisë arrest në burg që do kërkojë përfaqësuesja e prokurorisë, Flora Çela.

Ndaj Selmanaj, aktualisht është ngritur akuza e “Vrasjes me paramendim” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”.