Një person është vrarë me armë zjarri në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, në lagjen “28 Nëntori”, përballë Kishës Ortodokse.
Viktima është 41-vjeçari me inicialet L.K., i cili ka qenë i dënuar më parë me 10 vite burg për veprën penale vjedhje me pasojë vdekjen.
Sipas burimeve të A2 CNN, atentatori e ka ndjekur disa minuta, pasi viktima ka qenë duke udhëtuar me motor.
Ndërkohë, policia ka gjetur një makinë të djegur te hangarët e ish-fushës së aviacionit.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
Rreth orës 21:50, në lagjen “28-Nëntori”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi L. K., 41 vjeç.
Nga kontrolli i zonës, në aksin rrugor “Kotë- Sevaster”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një automjet tip “Audi”, duke u djegur.
Janë ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Vlorës dhe në akset “Vlorë-Fier”, “Vlorë-Tepelenë” dhe “Vlorë-Himarë”.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e prokurorit, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.