Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor për shkak të, siç tha ai, reagimit “të turpshëm” të BE-së për emërimin e Nenad Rashiçit si ministër në Qeverinë e Kosovës.
“Ju merrni rrogën tuaj ditore, udhëtoni me aeroplan, bëni shënime se si Serbia është fajtore për diçka, dhe nuk mund të gjeni asgjë për të cilën është fajtore Serbia. Nuk ka problem, vetëm bëni pa Serbinë, kështu që le të shohim se çfarë do të bëni dhe si”, tha Vuçiç për Pink.
Ai shtoi se kur t’i drejtohen Serbisë, duhet të kenë parasysh gjithçka që është miratuar në Bruksel, nëse është vënë në praktikë dhe të kujdesen për deklaratat e tyre, të respektojnë Serbinë dhe qytetarët e Serbisë, shkruan Euronews Serbia.
Më 6 dhjetor mbahet samiti i parë mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë.
Në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian thuhet se samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE-së.