Në mesin e tensioneve të reja në Ballkanin Perëndimor, dhe teksa Beogradi e bën gjithmonë e më të qartë se miqësinë më Moskën e ka të shenjtë, Bashkimi Europian zgjedh jo të ndëshkojë, portë shpërblejë Serbinë. Dhurata ka ardhur nga Franca, e cila do të armatosë vendin me 12 avionë të sofistikuar lufte Rafale. Marrëveshja e paralajmëruar, u firmos të enjten gjatë vizitës dy ditore të Emanuel Macron në Beograd.
Kontrata për blerjen e tyre, e cila kap vlerën e 2.7 miliardë eurove, është cilësuar si një lajm i madh nga Vuçiç. Ndërsa Macron tha se Bashkimi Evropian ka nevojë për “një Serbi të fortë dhe demokratike” dhe se vendimi i saj për të blerë avionë Rafale është një “zgjedhje strategjike dhe afatgjatë në këtë drejtim”.
“Ne mund të forcojmë së bashku autonominë strategjike duke rritur sigurinë tonë. Ajo nuk është ekskluzive për Bashkimin Evropian. Ekziston edhe brenda komunitetit politik evropian dhe me vendet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja pse Serbia zgjedh avionët luftarakë Rafale. Është një vendim që tregon një aleancë afatgjatë midis dy vendeve tona brenda një Evrope më të fortë dhe më sovrane. Kjo zgjedhje kontribuon në autonominë tonë strategjike dhe e forcon atë”, tha Macron.
“Për ne blerja e avionëve Rafale është një lajm i madh dhe do të shihni që do të jemi plotësisht të hapur me ju. Kontrata është nënshkruar së bashku me një paketë mbështetëse logjistike, motorë rezervë dhe pjesë”, u shpreh Vuçiç.
Kjo është marrëveshja më e madhe për armët e Serbisë që kur u nda me Malin e Zi në vitin 2006, dhe shënon një shkëputje nga aleati dhe furnizuesi kryesor me armatime, Rusia”. Konferencën për shtyp me Vuçiç, Macron e shfrytëzoi edhe për t’i tërhequr veshin Kosovës. Ai i cilësoi si të njëanshme dhe shqetësuese lëvizjen e fundit të Prishtinës, që siç tha nuk japin sinjal të mirë.
Kreu i Elizesë u shpreh i përkushtuar që të themelohet asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“E kam thënë në shumë raste se normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është pjesë integrale e procesit të afrimit me Bashkimin Evropian. Është një çështje që nuk do të zgjidhet pa një kompromis mes palëve dhe pa guximin politik për ta arritur atë. Në këtë drejtim, unë përgëzoj autoritetet serbe për vendimet e marra në fund të vitit të kaluar për të filluar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të arritur vitin e kaluar. Së bashku me partnerët tanë evropianë kemi pasur rastin të shprehim shqetësimet tona në lidhje me veprimet e njëanshme të fundit të Kosovës, të cilat nuk dërgojnë sinjale pozitive”, theksoi Macron
Ai shtoi me tej se Franca do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje kushte në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë.