Vuçiç shpërthen kundër Amerikës: Po armatosni Kosovën, si guxuat të shkelni kartën e OKB!

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shpërthen kundër Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të tjera perëndimore, të cilat i akuzon për armatosjen e Kosovës. Ai e drejtoi gishtin edhe nga opozita dhe mediat pro opozitës në Serbi, që siç tha janë në shërbim të këtyre fuqive.

I pari I shtetit, paralajmëroi se po mendon të nisë një hetim, mbi armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atyre që po ndihmojnë në këtë qëllim në kundërshtim me rezolutën1244.

“Dua të hetoj se kush e shkeli Kartën e OKB dhe si guxuan ta bëjnë këtë. Po mendoj si të mos e vendos vendin në pozitë të vështirë dhe njëkohësisht të ruhet e drejta ndërkombëtare.”

Më herët gjatë këtij muaji Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh. Sipas DASH, shitja e armatimeve nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike në Evropë.”

Presidenti serb, i cili e kishte cilësuar njoftimin “një zhgënjim të madh për Serbinë“, sulmoi mediat pro opozitare dhe opozitën në Serbi se “nuk duan t’ia dinë çfarë po i bëjnë të huajt dhe shqiptarët Serbisë”.