Vuçiq në Banja Llukë takohet me Dodikun: Një ditë e vështirë për popullin serb

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas mbërritjes në Banja Llukë, Bosnje e Hercegovinë, tha se me vendimin kundër kreut Milorad Dodikut “u sulmua Republika Srpska” dhe se “kjo është një ditë e vështirë për popullin serb”, ​​raporton Anadolu.

Siç theksoi ai, cilido qoftë vendimi i entitetit të BeH-së, Republika Srpska, Serbia dhe ai personalisht do të qëndrojnë gjithmonë pranë këtij entiteti.

Duke iu drejtuar të pranishmëve që ishin mbledhur para Pallatit të Republikës në Banja Llukë, Vuçiq tha se para nisjes, “këshilltarët i thanë se nuk ishte koha më e mirë për të udhëtuar atje”.

“Momenti nuk është i favorshëm, nuk është i gëzueshëm, por ashtu sikur isha atje para disa ditësh kur festuam festën tonë, kur po gëzoheshim, do të ishte turp të mos isha aty kur është e vështirë”, tha presidenti i Serbisë.

Vuçiq ka theksuar se sot është një ditë e vështirë për mbarë popullin serb.

Më herët, Vuçiq në Beograd mbajti mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, ku e quajti të turpshëm vendimin e sotëm kundër Dodikut.

“Nuk kam asnjë dyshim se si popull do të kemi sukses në ruajtjen e hapësirës sonë të jetesës”, tha ai.

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës dha një vendim sot për të dënuar Milorad Dodikun me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim nga mbajtja e detyrës së Presidentit të Republikës Srpska, për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në BeH.

Dodik nuk mori pjesë në seancën e shqiptimit të vendim. Në vend të kësaj, ai iu drejtua një tubimi të mbështetësve të tij në Banja Llukë, duke fyer gjyqësorin e BeH-së dhe Përfaqësuesin e Lartë Christian Schmidt. Ai njoftoi se Republika Srpska do të miratojë ligje që ndalojnë institucionet gjyqësore dhe të sigurisë së BeH-së në territorin e entitetit.