Presidentja e Komitetit Serb të Helsinkit, Sonja Biserko, ka komentuar idenë e “Ballkanit të hapur”, për të cilin ka thënë se nuk është e menduar dhe konkretizuar mirë. Sipas saj, ajo shërben si mbulesë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili “dukshëm është në situatë të palakmueshme”.
Duke folur në një intervistë për revistën boshnjake Avangarda, Biserko ka theksuar se Gjermania nuk e përkrah idenë e “Ballkanit të Hapur”, pasi ka nisur pa konsultimin e Berlinit dhe Brukselit.
Ajo ka thënë se Bosnjë Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova janë tre shtete që e dinë se “Ballkani i Hapur” është versioni i ri i “Botës Serbe”, që më shumti i ndihmon Serbisë.
Aktivistja serbe ka paralajmëruar se rrethi i korruptuar i Vuçiqit, do ta rrezikojë dhe do t’i kushtojë shumë presidentit serb.
Sipas saj, nëse Serbia nuk heq dorë nga “Bota serbe”, ajo do të përfundojë e izoluar sërish.
Citime nga intervista e Biserkos, të publikuara nga Arbër Zaimi, anëtar i VV-së, në Facebook:
Disa citime, përkthyer nga unë, prej intervistës së veprimtares serbe të të drejtave të njeriut, Sonja Biserkos për revistën boshnjake Avangarda (dikush le t’ia dërgojë Ramës e këshilltarëve të tij por edhe disa politikanëve e këshilltarëve në Kosovë).
– Nuk duhet injoruar fakti se Rusia po e armatos Serbinë, dhe se retorika e Beogradit zyrtar është shumë luftënxitëse e shqetësuese.
– Zbulimi i asaj çështjeje (e mafiozit Velko Belivuk dhe lidhjeve të tij me Vuçiçin) filloi nga jashtë, dhe e tronditi qeverinë aktuale në Serbi. Puna është se sa gjëra të tjera do të zbulohen. Vuçiçi nuk ka shumë hapësirë për të manovruar, përveçse të rëndojë sërish skenën e brendshme dhe atë rajonale. Kam frikë se Serbia po bëhet si Kolumbia, duke këmbëngulur në të njëjtat politika, ajo përherë do të rrezikojë stabilitetin e fqinjëve të saj. Kjo gjë është shqetësuese jo vetëm për Serbinë, por edhe për rajonin. Si zakonisht, ajo do të shprehet si “mbrojtje” e popujve serbë në rajon.
– Rrethi më i afërt dhe shumë i korruptuar pranë Vuçiçit është shumë i rrezikuar, pra s’është e pamundur të priten edhe “tradhti” të cilat do t’i kushtojnë Vuçiçit shumë.
– Moska e ka Vuçiçin në dorë dhe kërkon prej tij ruajtjen e statusquosë në Ballkan. Në të njëjtën kohë amerikanët kanë të dhëna të sakta për lëvizjen e parave, gjë që rrezikon dhe kompromenton Vuçiçin si dhe shumë prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.
– Perëndimi për një kohë të gjatë e ka mbështetur Vuçiçin, sepse priste bashkëpunim prej tij, sidomos për Kosovën. Duke nënshkruar marrëveshjen e Brukselit (me Thaçin e Mustafën) ai fitoi statusin e “politikanit konstruktiv” dhe perëndimi e shpërbleu mirë për këtë. Por ishte vetëm një iluzion, që vjen prej moskuptimit sa duhet nga ana e Perëndimit se Serbia nuk heq dorë prej projektit të saj shtetëror për hir të BE-së, sepse kjo gjë do t’i jepte fund aspiratave të autoriteteve serbe për të qenë fuqi e madhe. Kur u bë e qartë se Vuçiçi në vend që të mbante premtimet thjesht manipulonte, presidenti i Serbisë filloi të humbë mbështetjen perëndimore. Sidomos pas fitores së presidentit Biden.
– Arsyeja pse presidenti Vuçiç gëzoi kaq gjatë mbështetje nga Perëndimi është se në anën tjetër të politikës serbe nuk kishte partnerë. Përshtypja e Perëndimit është se opozita në shumë aspekte është më radikale se Vuçiçi. Por me daljen e çështjeve Belivuk, Krushiç dhe Jovanjica, mbështetja për Vuçiçin po tretet.
– Ideja (e Ballkanit të Hapur), nuk është e konkretizuar apo e menduar mirë dhe shërben si mbulesë e Vuçiçit që dukshëm është në situatë të palakmueshme.
– Gjermania nuk e mbështet idenë e “Ballkanit të Hapur”, sepse u nis pa konsultuar Berlinin e Brukselin, por edhe sepse Gjermania përkrah bashkëpunimin rajonal brenda Procesit të Berlinit.
– Bosnjë Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova janë tre shtete që e dinë se “Ballkani i Hapur” është versioni i ri i “Botës Serbe”, që më së shumti i ndihmon Serbisë për të kompletuar zonën e saj ekonomike. Duke ditur se Serbia individualisht është vendi më i madh, ndoshta më i madh se të gjithë ata bashkë, atëherë kjo iniciativë është kryesisht interes i Serbisë. Megjithatë, duke qenë e pashtjelluar dhe duke mos pasur mbështetjen e Gjermanisë, kjo e gjitha për momentin mbetet në nivel ideje.
– Presidenti Biden dhe Angela Merkel caktuan gjashtë prioritete të përbashkëta, si Afganistani, Kina, Irani, Rusia, Ukraina, por edhe Ballkani Perëndimor, ku prioriteti i parë është zgjidhja e problemeve ekzistuese dhe arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.
– “Bota Serbe” është ende politika dominante e elitës serbe. Regjimi i Vuçiçit e shpërfaqi haptazi thelbin e atij projekti, aktorët dhe potencialin destruktiv për rajonin dhe vendin. Nëse nuk heq dorë nga “Bota Serbe” Serbia do të përfundojë e izoluar sërish.