Vuçiq: Në veri të Kosovës kemi rastet e para të dyshuara me COVID-19, të prekurit do t’i shërojmë në Serbi

Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë vendosur ta zbatojnë gjendjen e jashtëzakonshme (edhe orën policore) të cilën e ka shpallur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq sot ka thënë se ka pasur raste të dyshuara me koronavirus edhe në veri të Mitrovicës.

Ai ka thënë se në rast se në Mitrovicë rezulton ndonjë rast me koronavirus, pacientët do të trajtohen së Serbi, shkruan Kossev, transmeton Reporteri.net.

“Ne sapo kemi marrë rastin e parë të dyshuar me koronavirus në Mitrovicë të Veriut, testet janë dërguar në Torllak, kështu që të prekurit do ti trajtojmë në Serbi”, tha Vuçiç.

Kujtojmë se Serbia ka ashpërsuar masat për të parandaluar përhapjen e coronavirusit të ri. Autoritetet kanë vendosur orë policore nga ora 8 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit.

Të ashtuquajtura Organe të Përkohshme në veri, që në fakt janë komunat paralele kanë urdhëruar banorët që ta respektojnë gjendjen e jashtëzakonshme të Vuçiqit. Të ashtuquajtura Shtabe të Krizës kanë urdhëruar që asnjë person të mos lëvizë, respektivisht të mos del nga shtëpitë e tyre prej orës 20:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.