Vuçiq: Nga Lavrovi, informata shqetësuese për çështjen e Kosovës

Bashkimi Evropian duhet që të ketë rolin e ndërmjetësuesit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ka deklaruar të enjten ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë vizitës që është duke e realizuar në Beograd.

Shefi i diplomacisë ruse ka theksuar se problemi i Kosovës mbetet i pazgjidhur dhe Bashkimi Evropian, i cili nga Këshilli i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ka marrë mandatin për rolin e ndërmjetësuesit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, “nuk guxon që të izolohet nga obligimet e veta dhe duhet t’i përmbushë ato në mënyrë të paanshme”.

Siç ka theksuar ai, Bashkimi Evropian duhet të përpiqet për realizimin e atyre marrëveshjeve që tashmë janë arritur dhe ka nënvizuar çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lavrov ka theksuar se qëndrimi i Rusisë lidhur me çështjen e Kosovës nuk ka ndryshuar.

“Ne edhe një herë e kemi konfirmuar sot këtë. Ne do të mbështesim çdo përpjekje dhe çdo hap dhe nismë që vërtetë do të ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinën për arritjen e një zgjidhje vitale dhe të pranueshme, në bazë të Rezolutës 1244. Do t’ju përkujtoj që pikërisht me propozimin dhe këmbënguljen e Rusisë, në atë rezolutë konfirmohet integriteti territorial i Serbisë”, ka theksuar Lavrov.

Ai ka shtuar se arritja e një zgjidhjeje, e cila, sipas tij dëshirohet nga të gjithë, duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duhet ta marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Lavrov gjithashtu ka theksuar se Rusia do të pajtohet vetëm me atë vendim me të cilin do të pajtohej Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se përmes shefit të diplomacisë ruse, Lavrov, ai ka marrë vlerësime të caktuara nga Federata Ruse, të cilat kanë të bëjnë me plane dhe ide të ndryshme për zgjidhjen e, siç e ka quajtur ai, krizës së Kosovës, të cilat e kanë shqetësuar.

“Nuk dëshiroj askënd ta mashtroj ose të fsheh diçka nga opinioni në Serbi. Duket se është duke na pritur një periudhë tepër e vështirë, në të cilën do të ballafaqohemi me presione të mëdha, në mënyrë që të realizohen disa plane, të cilat ne nuk i kemi marrë as zyrtarisht dhe as jozyrtarisht. Por, në bazë të vlerësimeve të caktuara të miqve tanë rusë, më duket se do të na duhet që të jemi shumë të kujdesshëm në përcjelljen e secilës ide që do të na prezantohet”, theksoi Vuçiq.

Ai ka shtuar se “një gjë është e qartë, se në rast se kurdo dhe në çfarëdo mënyre do të duhet të arrihet deri te çfarëdo zgjidhje, për çfarëdo zgjidhje është i nevojshëm pajtimi i Federatës Ruse” edhe për shkak të rolit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Presidenti serb Vuçiq ka deklaruar se para Serbisë “janë kohëra tejet të vështira”, për t’i ruajtur interesat e saja.

“Kur them ‘kohë të vështira’, ndoshta janë më të vështirat në dhjetë apo 12 vjetët e fundit që nga vetshpallja e pavarësisë së Kosovës dhe pranimi i saj nga më shumë se 90 vende të botës. Është shumë e rëndësishme që ne ta kuptojmë pozicionin tonë, të jemi mjaftueshëm të fuqishëm, gjithmonë të gatshëm për bisedime dhe për kompromise, por mjaftueshëm të fuqishëm që të refuzojmë ultimatumet dhe shantazhet”, theksoi Vuçiq.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov nisi të enjten vizitën e tij zyrtare në Beograd.

Ai u prit rreth orës 10:45 në Aeroportin “Nikolla Tesla”, nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Në kuadër të vizitës së tij në Beograd, Lavrov është thënë se do të takohet edhe me ministrin Daçiq, si dhe me ministrin e Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, me të cilin do të nënshkruajë një marrëveshje për bashkëpunim midis qeverive të Serbisë dhe Rusisë në luftën kundër terrorizmit.

Vizita e Lavrovit në Beograd vjen dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi dhe më pak se 12 orë para heshtjes parazgjedhore.

Gazetari dhe analisti i politikës së jashtme, Bosko Jakshiq, ka thënë se shkuarja e Lavrovit në Serbi ishte paralajmëruar para njoftimit të të dërguarit special të Shtëpisë së Bardhë për negociata midis Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, për organizimin e një takimi në mes të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, më 27 qershor, në Uashington.

Jakshiq beson se “Rusia ka arsye për t’u shqetësuar” dhe, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se Moska me siguri “po monitoron me kujdes përshpejtimin e ngjarjeve rreth Kosovës dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara”.

“Afrimi i çdo zgjidhjeje mund të prishë konfliktin e ngrirë, dhe konflikti i ngrirë është në thelb në interesin më të madh të Rusisë – të mbetet si një levë e ndikimit të zgjatur, kryesisht mbi Serbinë”, ka thënë mes tjerash Jashkiq.